Çipi i trurit, Musk: Së shpejti do të nisim provat në njerëz - NACIONALE

Çipi i trurit, Musk: Së shpejti do të nisim provat në njerëz

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Elon Musk ka thënë të mërkurën se pret që brenda gjashtë muajve të ardhshëm të nisin provat njerëzore për një çip të trurit me valë, të zhvilluar nga kompania e tij e teknologjisë shëndetësore.

Gjatë një prezantimi nga kompania Neuralink e Musk, miliarderi ka dhënë detaje mbi çipin e zhvilluar. Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se është duke planifikuar ta marrë edhe vetë një të tillë.

Sipas Reuters, Musk ka thënë se: Ne duam të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të sigurt se do të funksionojë mirë përpara se të vendosim një pajisje te njeriu”.

Kompania e tij, Neuralink thotë se po zhvillon ndërfaqe të çipit të trurit që mund të rivendosin shikimin e një personi, madje edhe te ata që kanë lindur të verbër si dhe të rivendosin "funksionalitetin e plotë të trupit", duke përfshirë lëvizjen dhe komunikimin verbal, për njerëzit me palcë të lënduar kurrizore.

Megjithëse kompania ende nuk ka leje nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për ta shitur këtë pajisje, Musk ka bërë të ditur se tashmë janë dorëzuar shumica e dokumenteve për miratim.

The Guardian shkruan se, deri më tani kjo kompani ka bërë teste në kafshë, ndërsa është në pritje të miratimit për të vazhduar me provat klinike.

E sipas New York Times, gjatë prezantimit, Musk ka thënë se pavarësisht afateve të humbura më parë, tani është duke u bërë përparim në çipin e trurit me valë.

"Përparimi në fillim, veçanërisht kur zbatohet për njerëzit, do të duket ndoshta jashtëzakonisht i ngadalshëm, por ne po bëjmë të gjitha gjërat paralelisht për ta sjellë atë në atë shkallë," ka thënë Musk, duke shtuar se, "në teori, përparimi duhet të jetë eksponencial."

Lajme të ngjashme