Cilat ishin disa nga sulmet më vdekjeprurëse në shkollat e SHBA-së
Në dekadat e fundit kanë ndodhur dhjetëra sulme me armë dhe sulme të tjera në shkollat dhe universitetet amerikane, por deri në masakrën e Shkollës së Mesme “Columbine” më 1999 në Kolorado, numri i të vrarëve ishte kryesore njëshifror. Nga ajo kohë, numri i sulmeve në shkolla me mbi dhjetë të vrarë është rritur. Dy sulmet më të reja ishin në Teksas.
Associated Press
Shkolla Fillore “Robb”, 24 maj 2022
Një 18-vjeçar i armatosur hapi zjarr të martën në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit, duke vrarë 19 fëmijë e dy të rritur, thanë zyrtarët. Sulmuesi u vra nga forcat e sigurisë.
Shkolla e Mesme “Santa Fe”, maj 2018
Një 17-vjeçar hapi zjarr në një shkollë të mesme në zonën e Houston-it, duke vrarë dhjetë persona, shumica nxënës. I dyshuari është akuzuar për vrasje.
Shkolla e Mesme “Marjory Stoneman Douglas”, shkurt 2018
Një 20-vjeçar vrau 14 nxënës dhe tre anëtarë të stafit të një shkolle në Parkland të Floridës. Shumë të tjerë u plagosën. I dyshuari është akuzuar për vrasje.
Kolegji “Umpqua Community”, tetor 2015
Një burrë vrau nëntë persona në një shkollë në Roseburg të Oregonit dhe plagosi nëntë të tjerë, pastaj e vrau veten.
Shkolla Fillore “Sandy Hook”, dhjetor 2012
Një burrë 19-vjeçar e vrau nënën e vet në Connecticut, pastaj shkoi në shkollën “Sandy Hook” dhe vrau 20 nxënës të klasës së parë e gjashtë mësues. Në fund, e vrau veten.
Universiteti Shtetëror dhe Instituti Politeknik i Virgjinias, prill 2007
Një student 23-vjeçar vrau 32 persona në kampusin e këtij universiteti në Blacksburg. Më shumë se 20 të tjerë u plagosën. Sulmuesi e vrau veten.
Shkolla e Mesme “Red Lake”, mars 2005
Një nxënës 16-vjeçar e vrau gjyshin dhe shoqëruesin e tij në shtëpinë e tyre në Minnesota, pastaj shkoi në shkollën “Red Lake”, ku vrau pesë nxënës, një mësues dhe një rojë para se ta qëllonte veten.
Shkolla e Mesme “Columbine”, prill 1999
Dy nxënës vranë 12 nxënës të tjerë dhe një mësues dhe plagosën shumë të tjerë në shkollën që ndodhet në Colorado. Më pas, sulmuesit e vranë veten.