CIA publikon video rusisht në përpjekje për të rekrutuar spiunë rusë - NACIONALE

CIA publikon video rusisht në përpjekje për të rekrutuar spiunë rusë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e Shteteve të Bashkuara ka filluar një fushatë të re për të përfituar nga ajo që zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se është mundësi e pashembullt për t’i bindur rusët e pakënaqur me luftën në Ukrainë dhe me jetën në Rusi që t’i tregojnë sekretet e tyre, duke publikuar një videon rekrutimi të hënën në internet.

Në këtë përpjekje përfshihet një kanal i ri i CIA-s në rrjetin “Telegram”, i cili është shumë i njohur për lajme të pafiltruara në Rusi. CIA e publikoi këtë video së pari në “Telegram”. Në fund të saj jepen udhëzimet për të rëndë në kontakt me agjencinë amerikane në mënyrë anonime dhe sekrete. Videoja do të publikohet edhe në llogaritë e agjencisë në rrjete të tjera, si “YouTube”, “Twitter”, “Instagram” e “Facebook”.

Zyrtarët e CIA-s që janë përfshirë në këtë projekt thanë se pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar një mundësi historike “që t’i kemi rusët duke ardhur te ne dhe t’i japin informatat për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë nevojë”. Kjo fushatë vjen pas një fushate të mëparshme rekrutimi pas fillimit të luftës, për të cilën zyrtarët kanë thënë se ka qenë e suksesshme dhe se kontakti është duke ardhur, raporton televizioni CNN.

Një zyrtar tha se mesazhi për të cilin shpresojnë se do ta dëgjojnë rusët që punojnë në fusha të ndjeshme me qasje në të dhëna të çmueshme është: “Ne ju kuptojmë ju, ndoshta më mirë se që mendoni.”

“Ne deshëm që t’u thoshim rusëve në gjuhën e tyre se dimë se nëpër çfarë po kalojnë ata”- shtoi zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për ta diskutuar projektin e ndjeshëm.

Ai këmbënguli se qëllimi i videos nuk është që të nxisë kryengritje në popullsinë e gjerë – ku presidenti rus, Vladimir Putin, ende gëzon nivel të lartë të përkrahjes – por më tepër i shënjestron individët që mund të jenë “mbi gardh” dhe ta demistifikojë procesin e kontaktit me CIA-n.

“Ne do të jetojmë me dinjitet, duke iu falënderuar veprimeve të mia”- thotë personi që flet në video në gjuhën ruse, përderisa një grua në veturën e saj e përdor telefonin për ta kontaktuar CIA-n, para se të shfaqen logoja dhe udhëzimet e agjencisë.

Lajme të ngjashme