Çfarë tha Putini në intervistën e parë me një gazetar perëndimor që nga nisja e luftës në Ukrainë? - NACIONALE

Çfarë tha Putini në intervistën e parë me një gazetar perëndimor që nga nisja e luftës në Ukrainë?

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë një intervistë dyorëshe në Moskë për gazetarin amerikan, Tucker Carslon. Kjo është intervista e parë e kreut të Kremlinit me një medium perëndimor që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Çfarë tha Putini?

Presidenti rus shfrytëzoi më shumë se 30 minuta duke e përshkruar historinë e Rusisë, Lituanisë, Polonisë dhe Ukrainës, në një monolog që i çoi shikuesit nga shekulli XIX, në kohën e sundimit të Olegut të Zgjuar, deri te vështirësitë e shekullit XIV e një kritikë për politikën e jashtme të Leninit, raporton gazeta “The Guardian”.

Kur gazetari më në fund e "solli" Putinin në shekullin XXI, presidenti rus i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore për zgjatjen e luftës në Ukrainë.

Sipas Putinit, kishte bisedime të paqes me Ukrainën që “pothuajse ishin finalizuar”, por pastaj Ukraina “i hodhi të gjitha këto marrëveshje dhe i zbatoi udhëzimet e vendeve perëndimore, vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për ta luftuar Rusinë deri në fundin e hidhur”.

Putini ia la fajin ish-kryeministrit britanik, Boris Johnson. Johnsoni u largua nga kuvendi britanik në qershor të vitit 2023, por presidenti rus pretendoi se gjatë kohës si kryeministër, britaniku e kishte dekurajuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, nga nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes në fazën e hershme të konfliktit.

“Fakti që [Ukraina] e zbaton kërkesën ose bindjen e z. Johsnon, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, duket qesharak” – tha Putini.

Në një video të publikuar para intervistës, gazetari Carlson tha se ai ishte nxitur që të bisedonte me Putinin, pjesërisht për shkak se publiku amerikan “nuk kishte ide pse Putini e pushtoi Ukrainën ose cilat janë qëllimet e tij tani”.

Në dhjetor, Kremlini kishte thënë se angazhimi në bisedime të paqes me Ukrainën ishte “jorealist”. Ukraina ka thënë se paqja mund të mbështetet vetëm në tërheqjen e plotë të ushtarëve rusë nga territori i saj.

Megjithatë, në intervistë, Putini tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të flasin “përmes agjencive të ndryshme” rreth përfundimit të konfliktit.

Sipas Putinit, porosia e Rusisë për ShBA-në është: “Nëse ju vërtet dëshironi që t’i ndalni luftimet, ju duhet të ndalni së dhuruari armë. Do të përfundojë brenda pak javëve.”

Presidenti rus tha se hera e fundit që kishte biseduar me homologun amerikan, Joe Biden, ishte para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

“I thashë atij, atëherë, unë besoj se po bëni një gabim të madh me proporcione historike përmes përkrahjes së gjithçkaje që është duke ndodhur këtu, në Ukrainë, përmes shtyrjes së Rusisë” – tha Putini.

Për herë të fundit, Putini kishte dhënë një intervistë për një medium perëndimor në vitin 2021, kur kishte folur me një gazetare të CNBC-së. Ai kryesisht nuk bisedon më me media të pavarura, përfshirë ato ruse e ndërkombëtare, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Nga viti 2021, ai ka dhënë intervista vetëm për media ruse, kineze dhe kazake./Nacionale

Lajme të ngjashme