Çfarë mund të bëjë OKB-ja, nëse Koreja e Veriut dërgon trupa në Ukrainë? - NACIONALE

Çfarë mund të bëjë OKB-ja, nëse Koreja e Veriut dërgon trupa në Ukrainë?

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut, Britania dhe Ukraina thonë se Koreja e Veriut ka dërguar trupa në Rusi për angazhim të mundshëm në luftën e Ukrainës, lëvizje për të cilën Shtëpia e Bardhë të mërkurën tha se bie ndesh me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kremlini, që ka qenë duke zhvilluar luftë në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, dhe Koreja e Veriut mohojnë se në Rusi ka ushtarë koreanoveriorë, raporton agjencia “Reuters”.

Çfarë mund të bëjë Këshilli i Sigurimit, nëse sanksionet e tij ndaj Koresë së Veriut janë duke u shkelur?

Çfarë ndodh, nëse ka shkelje?

Koreja e Veriut ka qenë nën sanksione të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga viti 2006 dhe masat janë fuqizuar në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve me qëllim të ndërprerjes së zhvillimit të armëve bërthamore dhe raketave balistike nga Penjani.

Këshilli i Sigurimit ka një komision për sanksionet ndaj Koresë së Veriut, që përbëhet nga 15 anëtarë të këshillit, përfshirë Rusinë, për të “ekzaminuar dhe për të marrë masa të duhura rreth të dhënave në lidhje me shkeljet e dyshimta”. Komisioni funksionon me konsensus dhe mund të vërë në shënjestër individë dhe entitete.

Një shtet anëtar i Këshillit të Sigurimit gjithashtu mund të propozojë masa përmes miratimit të një rezolute, por për këtë do të nevojiteshin të paktën nëntë vota “për” dhe asnjë veto nga Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara, Franca ose Britania.

Cilat janë disa prej sanksioneve të OKB-së ndaj Koresë së Veriut?

Sipas sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shteteve u ndalohet “përfshirja në pritjen e trajnerëve, këshilltarëve ose zyrtarëve të tjerë për qëllime të trajnimit të ndërlidhur me ushtrinë, paramilitarët ose policinë”.

Koreja e Veriut është gjithashtu subjekt i një embargoje armësh.

Si vëzhgohen sanksionet e OKB-së?

Një panel i ekspertëve të pavarur – i emëruar nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së – i ka vëzhguar sanksionet ndaj Koresë së Veriut për 15 vjet, duke raportuar dy herë në vit në Këshillin e Sigurimit dhe duke rekomanduar veprime për ta përmirësuar zbatimin e masave.

Në raporte janë përmendur individë, entitete dhe shtete që ekspertët kanë qenë duke i hetuar ose që kanë besuar se i kanë shkelur sanksionet.

Përderisa sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut vendosen me afat të pacaktuar, mandati i ekspertëve të panelit është përtërirë për çdo vit nga Këshilli i Sigurimit. Në marsin e kaluar, Rusia e përdori veton, ndërsa Kina abstenoi për përtërirjen e mandatit të ekspertëve dhe ata e ndërprenë vëzhgimin e zbatimit të sanksioneve të OKB-së ndaj Koresë së Veriut më 30 prill.

Më herët këtë muaj, Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia formuan një ekip të ri shumëkombësh për ta vëzhguar zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, lëvizje të cilën Penjani e ka quajtur “tërësisht të paligjshme dhe jolegjitime”.

A po bëjnë shtytje Rusia e Kina për lehtësimin e sanksioneve?

Ka shumë pak gjasa për sanksione të reja të OKB-së kundër Koresë së Veriut, që tashmë është njëri nga shtetet më të sanksionuara në botë.

Hera e fundit kur Këshilli i Sigurimit kishte vendosur sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut ishte dhjetori i vitit 2017. Dy vjet më vonë, Kina dhe Rusia paraqitën një draft-rezolutë me të cilën do të lehtësoheshin sanksionet, në përpjekje për të inkurajuar bisedime mes Uashingtonit dhe Penjanit.

Megjithatë, Pekini e Moska nuk e hodhën në votim draft-rezolutën, sepse diplomatët thanë se dokumenti kishte pak mbështetje.

Në nëntor të vitit 2021, Kina dhe Rusia e ringjallën përpjekjen e tyre për t’i hequr sanksionet ndaj industrive kyçe të Koresë së Veriut “me qëllim të forcimit të jetesës së popullsisë civile” në shtetin e izoluar aziatik. Drafti nuk është hedhur në votim.

Shtetet e Bashkuara pastaj propozuan fuqizim të sanksioneve të OKB-së ndaj Koresë së Veriut për shkak të hedhjeve të reja të raketave balistike. Megjithatë, Kina dhe Rusia e bllokuan me veto draft-rezolutën e ShBA-së në maj të vitit 2022, ndërsa të gjitha 13 shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit e mbështetën atë./Nacionale

Lajme të ngjashme