Çfarë është raketa “Oreshnik”, me të cilën Rusia tha se e goditi Ukrainën?
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij e ka goditur Ukrainën me një raketë të re balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të raketave britanike e amerikane nga Kievi. Çfarë është raketa “Oreshnik”?
Putini tha se “Oreshnik”-u është raketë balistike hipersonike. Sipas tij, ajo udhëtoi dhjetë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe në këtë mënyrë nuk mund të pengohej. Burimet ruse thanë se rrezja ishte pesë mijë kilometra, duke i mundësuar Rusisë që ta sulmojë shumicën e Evropës dhe bregdetin perëndimor të Shteteve të Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mësa duket, ajo ka pjesë të shumta e të pavarura – koka që mund të godasin shënjestra të ndryshme.
Anatoly Matviychuk, ekspert ushtarak rus, tha se raketa mund të bartë gjashtë deri në tetë koka konvencionale ose bërthamore dhe se ndoshta ajo tashmë është në shërbim, sipas Yuri Podolyaka, bloger i njohur pro rus.
Pentagoni tha se raketa që e hodhi Rusia ishte e mbështetur në raketën balistike ndërkontinentale “RS-26 Rubezh”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara ishin njoftuar për hedhjen e saj përmes kanaleve për zvogëlimin e rrezikut bërthamor.
Forca ajrore e Ukrainës tha se Rusia kishte hedhur një raketë balistike ndërkontinentale në Dnipro, edhe pse Shtetet e Bashkuara thanë se kjo nuk ishte e saktë. Raketat balistike ndërkontinentale cilësohen ato që kanë rreze veprimi prej më shumë se 5.500 kilometrash.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmi rus me një lloj të ri të raketës balistike ishte “përshkallëzim i qartë dhe i rëndë” dhe bëri thirrje që veprimi i armikut të vendit të tij të dënohej në mbarë botën.
Çfarë është raketa “RS-26 Rubezh”?
Raketa “RS-26 Rubezh” është raketë balistike me karburant të ngurtë, që kishte hyrë në procesin e zhvillimit më 2008.
Shtetet e Bashkuara formalisht u tërhoqën nga Traktati për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme me Rusinë më 2019, pasi thanë se Moska po e shkelte marrëveshjen, akuzë e mohuar nga Kremlini.
Shtetet e Bashkuara atëherë kishin thënë se Rusia ishte duke zhvilluar një raketë me drejtim me bazë në tokë (e njohur në Rusi si 9M729), që dallonte nga raketa “RS-26 Rubezh”./Nacionale