Çfarë është arma e çuditshme që u pa gjatë inaugurimit të presidentit të ri të Brazilit?
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, forcat e sigurisë u përkujdesën që t’i ndërmerrnin të gjitha masat që gjithçka të shkonte sipas planit. Sidoqoftë, vëmendje më të madhe mori një lloj arme e çuditshme, që nuk shihet në duart e policëve ose ushtarëve të zakonshëm. Për çfarë përdoret ajo?
Arma e quajtur “DroneGun Tactical” prodhohet nga kompania australiano-amerikane, “DroneShield”. Sipas uebfaqes së kësaj kompania, arma funksionon në largësi të madhe dhe është e pajisur me antena drejtuese me performancë të lartë.
“DroneGun Tactical” ofron kundërmasë të sigurt kundër rrezikut të një grupi të gjerë të sistemeve ajrore pa pilot (për shembull dronët), pa dëm ndaj modeleve të rëndomta të këtyre sistemeve ose ndaj mjedisit përreth”- thuhet në uebfaqen e kompanisë që e prodhon këtë armë.
Aty thuhet se kur aktivizohet arma për pengimin e mjetit fluturues pa pilot, mjeti lëshohet vertikalisht nga pika ku ndodhet ose kthehet te kontrolluesi i tij ose te pika fillestare e fluturimit.
Në uebfaqe thuhet se përparësitë e kësaj pajisjeje janë: mbulimi efektiv në largësi të madhe në një varg kushtesh mjedisore; e ndërpret menjëherë transmetimin e videos tek operuesi i mjetit fluturues; e mundëson hetimin, sepse mjeti mbetet i paprekur dhe në dispozicion për hetim forenzik; ka aftësi për pengimin e përcjelljes satelitore (GNSS) dhe mund të përdoret lehtë me trajnim minimal teknik.
Pajisja e ka edhe panelin e kontrollit, ku mund të përcaktohet frekuenca e bllokimit. Arma është e ndërtuara nga korniza e aluminit dhe është e përshtatshme për t’u mbajtur në mënyrë të ngjashme si armët e gjata.

Ajo peshon 7,3 kilogramë dhe ka dy bateri litium – jon që mund të rimbushen. Mund të përdoret për më shumë se dy orë me një mbushje, në temperaturë nga -20 deri në +55 gradë.
Prodhuesi ofron 12 muaj garanci për pajisjen nga data e nisjes së dërgesës, ndërsa garancia më e gjatë mund të ofrohet me kërkesën e blerësit.
Një version i saj është i miratuar nga NATO-ja, ndërsa ofrohen edhe versione komerciale.