Çfarë do të thotë kaosi 24-orësh në Irak, kush e kontrollon vendin?
U deshën vetëm 24 orë që njeriu më i fuqishëm i Irakut të shfaqte fuqinë e tij në rrugët e Bagdadit të hënën, në atë që doli të ishte një nga episodet më të dhunshme të kryeqytetit në vite.
Muqtada al-Sadr, një klerik i zjarrtë që sheh Iranin dhe Shtetet e Bashkuara si kundërshtarë të tij, u tërhoq nga politika të hënën nga zhgënjimi prej manovrave të kundërshtarëve të tij kundër tij.
Ky vendim i shtyu ndjekësit e tij besnikë të dalin e të tërbohen nëpër rrugë si dhe të sulmojnë Zonën e Gjelbër të fortifikuar rëndë, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe misionet diplomatike.
Pas vrasjes së 21 personave dhe plagosjes së 250 të tjerëve, Al-Sadr u bëri thirrje ndjekësve të tij që të tërhiqen.
CNN shkruan se, episodi shërbeu si një kujtesë për brishtësinë e qeverisë në Bagdad, e cila mbeti kryesisht neutrale në krizë, si dhe lojtarët konkurrues brenda dhe jashtë vendit që kërkojnë të kontrollojnë politikën e vendit.
Ja çfarë duhet të dini për kaosin në Irak:
Kush është Muqtada Al Sadr?
Al-Sadr, 48 vjeç, është një klerik nga një familje e shquar shiite që ka mbështetjen e miliona njerëzve në të gjithë vendin.
Babai i tij, Ayatollah Muhammad Sadiq al-Sadr, ishte një figurë e rëndësishme shiite që foli hapur kundër Sadam Huseinit dhe partisë së tij në pushtet Baath. Ai u vra në vitin 1999, në një operacion që besohet se ishte vepër e forcave të Sadamit ose njerëzve të tij besnik. Më i riu al-Sadr trashëgoi më pas popullaritetin e babait të tij.
Kapaciteti i Al-Sadr për të rishpikur rolin e tij në politikën irakiane dhe për të hyrë në një venë të fortë të protestës shiite, e ka ndihmuar atë të mbijetojë dhe të manovrojë me shumë rivalë gjatë dy dekadave të fundit. Ndërsa lëvizja e tij e fundit e tregon atë si një nga figurat më me ndikim në Irak.
Si është marrëdhënia e tij me fuqitë e huaja?
Al-Sadr është më i njohur në ShBA për rolin e tij në udhëheqjen e Ushtrisë Mahdi, të cilën ai e formoi në vitin 2003 gjatë pushtimit amerikan të Irakut për të luftuar kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga ShBA-ja.
Ai iku në Iran gjatë pushtimit të Irakut dhe u kthye në vendin e tij në vitin 2011. Që atëherë, ai është bërë një nga kritikët më të ashpër të ndikimit të Teheranit në Irak dhe ka kërkuar ta kundërshtojë atë. Tani ai e sheh veten si një nacionalist irakian.
Kleriku ka marrëdhënie të mira me shtetet arabe të Gjirit si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat e shohin Iranin si një kërcënim për sigurinë rajonale.
Çfarë i shkaktoi ngjarjet e së hënës?
Zgjedhjet parlamentare në tetor 2021 panë që blloqet shiite të mbështetura nga Irani të humbin vendet ndaj sadristëve. Pavarësisht fitores së tij, al-Sadr nuk arriti të formonte një qeveri mes kundërshtimit të rivalëve të mbështetur nga Irani.
Kështu, në qershor, në shenjë proteste ai tërhoqi bllokun e tij nga parlamenti. Më pas në muajin korrik blloqet e mbështetura nga Irani u përpoqën të formojnë një qeveri pa mbështetjen e tij, gjë që solli proetsta të sadristëve jashtë parlamentit.
Ndërsa, njoftimi i al-Sadr të hënën për t'u tërhequr përfundimisht nga politika, erdhi pasi udhëheqësi shpirtëror i lëvizjes së tij me bazë në Iran, Ajatollah Kadhim Al-Haeri, tha se ai do të tërhiqej si autoritet fetar shiit dhe i udhëzoi ndjekësit e tij të zotohen për besnikëri fetare ndaj liderit suprem të Iranit Ali Khamenei. Përveç të qenit lider i Iranit, Khamenei është gjithashtu një autoritet fetar shiit me ndjekës edhe përtej kufijve.
Al-Sadr tha se ai nuk besonte se al-Haeri ka dhënë dorëheqjen me vullnetin e tij, duke sugjeruar se ai ishte i presionuar nga Irani.
Ç'pritet më tej?
Tërheqja e Al-Sadr nga politika, nëse është e sinqertë, mund t'i lërë shiitët e mbetur, shumë prej të cilëve mbështeten nga Irani, të dominojnë politikën e vendit.
Opinioni publik në Irak është fuqishëm anti-iranian, që do të thotë se çdo zgjedhje e ardhshme - nëse është e lirë dhe e ndershme dhe me pjesëmarrje të mirë, mund të sjellë parti të reja politike që paraqesin rrugën e Irakut.
Presidenti irakian Barham Salih tha të martën se megjithëse dhënia fund e dhunës është vendimtare për të ndaluar gjakderdhjen, kjo nuk do të thotë se kriza politike ka përfunduar. Ai sugjeroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme si një rrugëdalje nga ngërçi.



