Pamjet para dhe pas vërshimeve në Pakistan e tregojnë shkallën e shkatërrimit
Disa pamje të reja satelitore e kanë shfaqur nivelin e shkatërrimit të shkaktuar nga vërshimet masive dhe reshjet e dendura në Pakistan.
Pamjet e publikuara nga “Planet Lavs” dhe “Maxar Technologies” shfaqin sipërfaqe të mëdha të fushave të gjelbra, fshatra e ndërtesa para periudhës së reshjeve dhe pas tyre.
Fotografitë satelitore disa javë ose muaj pas fillimit të reshjeve e shfaqin territorin e mbuluar nga uji. Në disa pjesë, rrugët janë zhdukur dhe uji i vërshimeve i ka krijuar lumenjtë e vet, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.


Në fotografi shihen vërshime masive në pjesë të ndryshme të Pakistanit, nga provinca Sindh në jug, deri të Lumi Kabul në veri.
Më shumë se 1.100 njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë janë zhvendosur për shkak të vërshimeve që nga kryeministri Shebaz Sharif janë cilësuar si më të rëndat në historinë e Pakistanit. Sipas kryeministrit, do të nevojiten të paktën dhjetë miliardë dollarë për ta riparuar infrastrukturën e dëmtuar.

Mbi 33 milionë njerëz ose një në shtatë pakistanezë janë prekur nga vërshimet. Rreth gjysma e të zhvendosurve janë duke jetuar në kampe, ndërsa të tjerët kanë qenë të detyruar që ta gjejnë vetë strehimin.
Reshjet që nisën në qershor kanë shkatërruar të mbjella jetike dhe kanë dëmtuar ose shkatërruar mbi një milion shtëpi.
Autoritetet dhe organizatat bamirëse po mundohen që ta përshpejtojnë shpërndarjen e ndihmave te njerëzit e prekur, por kjo detyrë është goxha e vështirë në zonat e izoluara, sepse shumë rrugë dhe ura janë dëmtuar rëndë.

Kryeministri Sharif tha se të mbjellat janë dëmtuar rëndë nga vërshimet dhe se qeveria e tij po e shqyrton importimin e grurit nga vendet e huaja për ta shmangur mungesën e ushqimit.
Pakistani ballafaqohet me reshje të dendura dhe shpesh të dëmshme gjatë periudhës së reshjeve, që është kritike për bujqësinë dhe furnizimin me ujë. Megjithatë, reshje të tilla nuk janë parë në tri dekadat e fundit.

Disa zyrtarë pakistanezë i kanë fajësuar ndryshimet klimatike, të cilat po i rrisin frekuencën dhe intensitetin e motit ekstrem përreth botës.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antioni Guterres, tha se vërshimet në Pakistan janë sinjal për botën që t’i shtojë veprimet kundër ndryshimeve klimatike.
Fatkeqësia e vërshimeve po i ndodh Pakistanit në një kohë edhe ashtu të vështirë, kur ekonomia është në rënie të lirë. Duke bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare, qeveria e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Kombet e Bashkuara të martën kërkuan zyrtarisht 160 milionë dollarë për t’i financuar ndihmat emergjente./Nacionale
