E pranon edhe Rusia: Gorbachev-i e ndryshoi historinë, por gaboi në lidhjet me Perëndimin - NACIONALE

E pranon edhe Rusia: Gorbachev-i e ndryshoi historinë, por gaboi në lidhjet me Perëndimin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, i cili vdiq të martën, ka pasur ndikim të madh në rrjedhën e historisë.

Putin-i tha se Gorbachev-i kishte kuptuar se reformat ishin të nevojshme, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e cilësoi ish-udhëheqësin sovjetik si “avokat të palodhshëm për paqe”.

Sidoqoftë, zëdhënësi i Putinit tha se Gorbachev-i kishte gabuar, kur kishte besuar në “romancën e përjetshme” me Perëndimin, shkruan BBC, përcjell Nacionale.

Gorbachev-i kishte ardhur në pushtet në vitin 1985, rreth gjashtë vjet para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.

Ai bëri reforma, por nuk mundi që ta ndalte shpërbërjen e ngadalshme të Bashkimit Sovjetik. Shumë rusë e kanë fajësuar atë për periudhën e trazirave.

Në mesazhin e tij, presidenti rus tha: “Ai kuptoi thellësisht se reformat ishin të nevojshme, ai u përpoq që t’i ofronte zgjidhjet e tij për problemet urgjente.”

Putin-i dhe Gorbachev-i kishin raporte të tensionuara. Raportohet se takimi i tyre i fundit ishte zhvilluar në vitin 2006.

Rishtazi, thuhej se Gorbachev-i nuk ishte i kënaqur me vendimin e Putin-it për ta pushtuar Ukrainën, edhe pse e kishte përkrahur aneksimin e Krimesë më 2014.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Gorbachev-i “sinqerisht donte të besonte se Lufta e Ftohtë do të përfundonte dhe se do të niste në një periudhë të romancës së përjetshme mes një Bashkimi Sovjetik të ri dhe botës, Perëndimit. Ky romantizëm doli të ishte i gabuar.”

Disa udhëheqës perëndimorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, e kryeministrin britanik në largim, Boris Johnson, e kanë vlerësuar lart ish-udhëheqësin sovjetik.

Spitali në Moskë, ku vdiq Gorbachev-i, tha se ai ishte duke vuajtur nga një sëmundje e gjatë e serioze. Viteve të fundit, mediet ndërkombëtare kanë raportuar se ai vuante nga një sëmundje në veshka, ndonëse shkaktari i vdekjes nuk është publikuar.

Ai do të varroset në varrezat “Novodevichy” në Moskë, ku ndodhen trupat e shumë figurave të njohura ruse. Nuk është e qartë nëse Gorbachev-i do të varroset me ceremoni shtetërore.

Gorbachev-i ishte bërë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike dhe de fakto udhëheqës i vendit më 1985.

Në atë kohë, ai ishte 54 vjeç – anëtari më i ri i këshillin udhëheqës të njohur si Politburo. Paraardhësi i tij, Konstantin Chernenko, kishte vdekur në moshën 73-vjeçare pas pak më shumë se një viti në post./Nacionale

Lajme të ngjashme