Çeko-japonezi Tomio Okamura zgjidhet kryetar i dhomës së ulët të Kuvendit të Çekisë
Politikani i së djathtës ekstreme, Tomio Okamura, të mërkurën u zgjodh me vota të deputetëve kryetar i dhomës së ulët të Kuvendit të Çekisë, emërimi i parë i koalicionit të ri qeveritar të miliarderit populist Andrej Babis.
Ky votim ishte hap kyç për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare që i fitoi para një muaji partia ANO e Babisit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qeveria në largim e kryeminsitrit Petr Fiala duhet ta paraqesë dorëheqjen pas zgjedhjes së kryetarit të dhomës së ulët të Kuvendit, veprim që do ta bëjë të enjten. Megjithatë, ekzekutivi i vjetër do të qëndrojë në pushtet deri në instalimin e administratës së re.
Okamura, 53 vjeç, është ballafaquar me kritika si kryetar i partisë Liri dhe Demokraci Direkte (SPD), e cila ka bërë fushatë kundër anëtarësisë së Çekisë në BE.
SPD-ja është partnere e partisë gjermane të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), në Parlamentin Evropian.
Partitë opozitare kanë thënë se qëndrimet e Okamuras janë të papajtueshme me mbajtjen e njërës prej posteve më të larta në politikën çeke.
Okamura i ka kritikuar fuqishëm ndihmat për Ukrainën dhe ka bërë thirrje për ndaljen e benefiteve që u paguhen qindra mijëra refugjatëve ukrainas që janë vendosur në Republikën Çeke. Partia e tij ka bërë thirrje që refugjatët të kthehen në atdhe.