Ç’dihet për raportimet se trupat e Koresë së Veriut po i bashkohen Rusisë në Ukrainë?
Zyrtarët në Ukrainë dhe në Korenë e Jugut e kanë akuzuar Korenë e Veriut për dërgim të trupave, që vlerësohet se ndoshta janë me mijëra, për ta ndihmuar Rusinë në luftën e saj në Ukrainë. Çfarë dihet?
Edhe Moska, edhe Penjani i kanë mohuar akuzat, ndërsa zyrtarë amerikanë kanë thënë se ende janë duke i hulumtuar raportimet. Çfarë dihet deri më tani, sipas agjencisë “Reuters”?
Çfarë është raportuar?
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten e akuzoi Korenë e Veriut për dërgim të oficerëve krahas forcave ruse dhe për përgatitje për të dërguar 10 mijë ushtarë për ta ndihmuar luftën e Rusisë.
Të premten, Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare i Koresë së Jugut tha se Veriu kishte dërguar 1.500 trupa të forcave speciale në Lindjen e Largët të Rusisë për trajnime dhe përshtatje ndaj klimës në baza ushtarake atje, që ndoshta do të dërgohen për luftime në Ukrainë.
Jugu gjithashtu tha se e kishte përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale për të identifikuar një delegacion prej dhjetëra oficerësh të Koresë së Veriut që po i vizitonin zonat e vijës së frontit në Ukrainë, për të dhënë udhëzime rreth raketave balistike KN-23 të Koresë së Veriut, që po hidheshin drejt caqeve atje.
Në delegacion përfshihej një figurë kyçe në zhvillimin e raketave të Koresë së Veriut, i identifikuar nga analistët në organizatën NK PRO në Seul si Ri Song Jin, i parë në fotografi vitin e kaluar duke e shoqëruar udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un, në fabrik që nxjerrin nga prodhimi raketa.
Anije të Flotës së Paqësorit të forcave ruse u vërejtën duke i dërguar forcat speciale të Koresë së Veriut në Vladivostok nga 8 deri më 13 tetor dhe pritet ta vazhdojnë së shpejti atë përpjekje, sipas inteligjencës së Koresë së Jugut.
Trupat janë furnizuar me uniforma ushtarake ruse, armë dhe dokumente të rreme të identifikimit para se të dërgohen për luftime, tha agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut.
Pse do ta ndihmonte Koreja e Veriut Rusinë?
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se një traktat që ai e ka nënshkruar me Kim Jong Un-in gjatë një vizite në Penjan në qershor përfshin një klauzolë për asistencë të përbashkët që secila palët ta ndihmojë tjetrën për ta sprapsur agresionin e jashtëm.
Kur është pyetur nëse kjo nënkupton që Rusia mund të përfshihet në mbështetjen e Penjanit në një konflikt në Gadishullin Korean ose nëse Koreja e Veriut mund të anojë nga Rusia në një konflikt me Perëndimin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se pakti “nënkupton bashkëpunim vërtet të thellë strategjik në të gjitha fushat, përfshirë sigurinë”.
Analistët thonë se Koreja e Veriut do të përfitonte nga ofrimi i armëve dhe trupave duke fituar përvojë dhe pamje të operacioneve në fushën e betejës.
Penjani, i sanksionuar rëndë për programin e vet të armëve bërthamore, gjithashtu duket se po përfiton importe të konsiderueshme të vajit dhe produkteve të tjera nga Rusia, sipas agjencive të huaja të inteligjencës dhe pamjeve satelitore komerciale që janë ekzaminuar nga analistët.
Sipas një raporti të një organizate të lidhur me inteligjencën e Koresë së Jugut, vlerësohet se Koreja e Veriut vitin e kaluar ka fituar rreth 540 milionë dollarë nga shitja e armëve në Rusi.
Cilat kanë qenë reagimet?
Të hënën, Koreja e Jugut tha se kishte protestuar para ambasadorit rus në Penjan për dislokimin e trupave të vendit fqinj.
Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, i ka hedhur poshtë raportimet për trupa të Koresë së Veriut në Ukrainë, duke i cilësuar si “lajm i rremë”.
Të shtunën, sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha se ai nuk mund t’i konfirmonte raportimet se Koreja e Veriut kishte dërguar trupa në Rusi para atij që mund të jetë dërgim në luftën e Ukrainës, por shtoi se një lëvizje e tillë do të ishte shqetësuese, nëse del të jetë e vërtetë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjithashtu tha javën e kaluar se nuk kishte dëshmi për prani të Penjanit në këtë fazë.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha të premten se nëse këto raportime janë të vërteta, ato “e paraqesin nivelin e dëshpërimit” në Rusi.
Cili do të ishte ndikimi i trupave të Koresë së Veriut?
Rusia ka hedhur dhjetëra raketa balistike të prodhuara nga Koreja e Veriut dhe ka pranuar shumë predha artilerie e raketa kundërtanke, thonë Koreja e Jugut, Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe hulumtuesit e pavarur.
Analistët ushtarakë thonë se ka pyetje për atë se si Rusia do të inkorporonte trupa të Koresë së Veriut në terren dhe se, njësoj si armët, përfshirja e këtyre trupave do të kishte pak gjasa për ta ndryshuar lojën, por do të mund të ndihmonte në zgjatjen e konfliktit./Nacionale