Burri i Pelosit ndodhet në spital pas sulmit me çekan, ka thyerje në kafkë
Paul Pelosi, bashkëshorti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, ndodhet në spital me frakturë në kafkë pas sulmit që u krye ndaj tij në shtëpinë e çiftit në Kaliforni. Raportohet se sulmuesi ka bërtitur: “Ku është Nancy, ku është Nancy?”
Z. Pelosi, 82 vjeç, iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm për rregullimin e thyerjes në kafkë dhe lëndimeve të tjera serioze që i pësoi gjatë sulmit dhe pritet të shërohet plotësisht, sipas zëdhënësit të Nancy Pelosi-t, Dreë Hammill.
“Më herët këtë mëngjes, Paul Pelosi u sulmua në shtëpi nga një sulmues që veproi me forcë dhe e kërcënoi me jetë përderisa kërkonte që ta shihte kryetaren”, tha zëdhënësi Hammill përmes një deklarate të premten pasdite.
Policia në San Francisko tha se Paul Pelosi arriti që ta telefononte ndihmën urgjente, por nuk raportoi drejtpërdrejt se çfarë ishte duke ndodhur. Sidoqoftë, disa policë shkuan në shtëpinë e tij për ta kontrolluar gjendjen pas orës 2 pas mesnatës. Ata gjetën një burrë duke u ballafaquar me Paul Pelosin dhe të dy kishin kapur një çekan.
“I dyshuari ia mori çekanin Pelosit dhe e sulmoi në mënyrë të dhunshme me të. Oficerët tanë menjëherë e kapën të dyshuarin, e çarmatosën dhe e dërguan në ndalim”, tha BillScott, komandant i policisë në San Francisko.
Ai tha se i dyshuari quhet David DePape, 42 vjeç, dhe tha se burri arriti të futej në shtëpinë e Pelosit përmes një dere të pasme. Ndaj të dyshuarit pritet të ngrihen akuza për vrasje në tentativë, sulm me armë vdekjeprurëse, abuzim të të moshuarve, grabitje dhe shkelje të tjera.