“Shumë afër”: Burimet thonë se marrëveshja për Gazën mund të arrihet në 48 orët e ardhshme - NACIONALE

“Shumë afër”: Burimet thonë se marrëveshja për Gazën mund të arrihet në 48 orët e ardhshme

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një marrëveshje për armëpushim në Gaza mund të arrihet brenda 48 orëve të ardhshme, thonë disa burime të afërta me bisedimet.

Dy burime izraelite thanë se një marrëveshje është “shumë afër”, ndërsa njëri burim tha se njoftimi për arritjen e paktit mund të vijë gjatë 24 orëve të ardhshme. Një burim i tretë tha se marrëveshja mund të arrihet brenda 48 orëve në vijim, ndërsa lirimi i pengjeve ka gjasa që të fillojë në fillim të javës së ardhshme.

Në këto bisedime po marrin pjesë edhe emisari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Ëitkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, raporton televizioni CNN.

Bisedimet e tërthorta mes Hamasit dhe Izraelit ende nuk kanë siguruar një marrëveshje, por atmosfera te personat e përfshirë është se pakti mund të arrihet këtë javë, thanë burimet.

Palët po punojnë në mënyrë speficike për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Gaza dhe shpresojnë se kjo do të ndodhte me t’u arritur pakti, tha njëri nga burimet.

Shtëpia e Bardhë nuk u përgjigj menjëherë, kur iu kërkua që të tregonte ndonjë përditësim të statusit të bisedimeve.

Ndërkohë, sipas tri burimeve izraelite, Izraeli vlerëson se Hamasi mund të mos jetë në gjendje që t’i gjejë dhe t’i dorëzojë të gjitha pengjet e vdekura që ndodhen në Gaza, fakt që mund t’i ndërlikojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës.

Burimet thonë se Qeveria e Izraelit është e vetëdijshme se Hamasi mund të mos e dijë vendndodhjen e disa prej pengjeve të vdekura ose nuk është në gjendje që t’i marrë ato.

Izraeli e ka kërkuar kthimin e të gjitha pengjeve – të gjalla e të vdekura – si kusht për t’i dhënë fund luftës. Tri burimet izraelite thonë se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe kabineti i tij me muaj e kanë ditur se Hamasi nuk e di vendndodhjen e disa prej pengjeve të vdekura dhe rrjedhimisht mund të mos jetë në gjendje që ta përmbushë këtë kërkesë./Nacionale

Lajme të ngjashme