Burimet: Pretendimi i Trumpit për raketat e Iranit s’mbështetet nga inteligjenca e ShBA-së
Pretendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se Irani së shpejti do të ketë një raketë që mund ta godasë territorin e vendit të tij nuk është i mbështetur nga raportet e inteligjencës amerikane dhe duket i ekzagjeruar, sipas tri burimeve të afërta me ato raporte, duke hedhur dyshime mbi një pjesë të justifikimeve të mundshme të Trumpit për ta sulmuar Teheranin.
Në fjalimin e mbajtur të martën në Kongres, Trumpi filloi që ta mbronte pozicionin e tij para publikut amerikan se pse ShBA-ja mund të nisë sulme kundër Iranit, duke thënë se Teherani është “duke punuar për raketa që së shpejti do t’i arrijnë” Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, dy burime thanë se nuk ka pasur ndryshime në një vlerësim të paklasifikuar të Agjencisë për Inteligjencë të Mbrojtjes të ShBA-së se Iranit mund t’i nevojitet kohë deri në vitin 2035 për të zhvilluar një “raketë balistike ndërkontinentale ushtarakisht të zbatueshme”.
“Presidenti Trump ka absolutisht të drejtë për ta vënë në pah shqetësimin e thellë që paraqitet nëse Irani, një shtet që brohorit “vdekje Amerikës”, do të kishte raketa balistike ndërkontinentale” – tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
Një burim tha se edhe nëse Kina apo Koreja e Veriut – të cilat bashkëpunojnë ngushtë me Iranin – do të ofronin asistencë teknologjike, Iranit ndoshta do t’i duheshin deri në tetë vjet së paku për të prodhuar “diçka që është në të vërtetë operacionale dhe në nivelin e raketës balistike ndërkontinentale”.
Burimet, të cilat folën në kushte anonimiteti, thanë se nuk ishin të vetëdijshme për ndonjë vlerësim të inteligjencës amerikane se Irani është duke zhvilluar një raketë që së shpejti mund të arrijë në ShBA, por nuk e përjashtuan mundësinë për ndonjë raport të ri të inteligjencës për të cilin nuk ishin të vetëdijshme.
Gazeta “The New York Times” raportoi e para se agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se Irani është ndoshta me vite larg pasjes së raketave që do të mund ta godisnin ShBA-në./Nacionale