Britania u vendos sanksione të reja Rusisë e Bjellorusisë - NACIONALE

Britania u vendos sanksione të reja Rusisë e Bjellorusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbretëria e Bashkuar e ka zgjeruar listën e sanksioneve kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, njoftuan autoritetet e këtij shteti të martën.

Gjashtë sanksione të reja kanë të bëjnë me individët dhe institucionet e lidhura me Bjellorusinë, ndërsa 19 të tjera të lidhura me Rusinë. Këtu përfshihen individë dhe biznese me seli në Rusi, Turqi, Dubai, Sllovaki e Zvicër, raporton televizioni CNN.

Në mesin e kompanive të sanksionuara përfshihen prodhues të pajisjeve elektronike e të mbrojtjes, të cilët kanë eksportuar mikropjesë elektrike e dronë në Rusi për ta ndihmuar luftën e saj kundër Ukrainës.

Sanksione u janë vendosur edhe shtetasit sllovak, Ashot Mkrtychev, i cili ka qenë i përfshirë në një tentativë për marrëveshje armësh mes Koresë Veriore dhe Rusisë, si dhe shtetasit zviceran, Anselm Oskar Schmucki, për punën e tij në sektorin e shërbimeve financiare të Rusisë.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, në një deklaratë të martën tha se sanksionet “do ta pakësojnë edhe më tej arsenalin e Rusisë dhe do ta mbyllin rrjetën për zinxhirët furnizues që e mbështetin industrinë e mbrojtjes tashmë në vështirësi të Putinit”.

“Nuk ka asnjë vend ku mund të fshihen ata që po e mbajnë makinerinë ushtarake të Rusisë. Bashkë me partnerët tanë të Grupit G7, Mbretëria e Bashkuar vazhdimisht u ka bërë thirrje palëve të treta për ta ndërprerë menjëherë ofrimin e përkrahjes materiale agresionit të Rusisë ose do të ballafaqohen me kosto të ashpra”- shtoi kryediplomati britanik.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet njëra nga përkrahëset kryesore të Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus më 24 shkurt 2022.

Lajme të ngjashme