Britania thotë se Rusia po përballet me sfidën më të madhe të kohëve të fundit - NACIONALE

Britania thotë se Rusia po përballet me sfidën më të madhe të kohëve të fundit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha të shtunën se shteti rus është duke u ballafaquar me sfidën më të madhe të sigurisë në kohën e fundit pas rebelimit të forcave mercenare të grupit “Wagner”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha në një fjalim urgjent të shtunën se “kryengritja e armatosur” e grupit “Wagner” është tradhti dhe se kushdo që i ka kapur armët kundër ushtrisë ruse do të ndëshkohet, raporton agjencia “Reuters”.

“Gjatë orëve të ardhshme, besnikëria e forcave të sigurisë të Rusisë dhe sidomos e Rojës Kombëtare Ruse, do të jetë kyçe për atë se si do të zhvillohet kjo krizë”- thuhet në përditësimin e rregullt të inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.

“Kjo e paraqet sfidën më të rëndësishme ndaj shtetit rus në kohët e fundit”- thuhet më tej.

Britania tha se forcat e grupit “Wagner” kishin kaluar nga pjesët e pushtuara nga rusët në Ukrainë për në Rusi në të paktën dy vende dhe se “pothuajse sigurisht” kishin pushtuar qendra kyçe të sigurisë në Rostov-on-Don, përfshirë selinë qendrore që i udhëheq operacionet ushtarake ruse në Ukrainë.

“Njësite të tjera të Wagnerit janë duke lëvizur në veri përmes rajonit të Voronezhit, pothuajse sigurisht me qëllim të arritjes në Moskë”- thanë autoritetet britanike.

“Me shumë pak dëshmi të luftimeve mes Wagner-it dhe forcave ruse të sigurisë, me gjasë disa kanë mbetur pasivë, duke e pranuar Wagner-in”- shtoi ministria britanike.

Lajme të ngjashme