Britania thotë se e mbështeti misionin amerikan për ta kapur anijen e naftës me flamur rus
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të mërkurën se ky vend i mbështeti Shtetet e Bashkuara në operacionin e tyre për sekuestrimin e një anijeje transportuese të naftës me flamur rus në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik.
Shtetet e Bashkuara e sekuestruan anijen që po përciellej nga një nëndetëse ruse të mërkurën, pasi e kishin ndjekur për më shumë se dy javë nëpër Oqeanin Atlantik si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për t’i bllokuar eksportet venezuelase të naftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Britania tha se forcat e armatosura të saj dhanë “mbështetje operacionale të para-planifikuar, përfshirë shërbimin si bazë”, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara për asistencë.
Më tej, autoritetet britanike thanë se një anije ushtarake ofroi përkrahje për forcat amerikane që po e ndiqnin anijen me flamur rus dhe se Forca Ajrore Mbretërore ofroi mbështetje me vëzhgim nga ajri.
Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, John Healey, tha se në shënjestër të operacionit ishte një anije “me histori të ligë”, e lidhur me rrjetet ruse e iraniane për shmangien e sanksioneve.
“Ky aksion formoi një pjesë të përpjekjeve globale për ta shtypur shmangien nga sanksionet” – tha Healey në një deklaratë.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë partnered më të ngushta të Britanisë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes. “Thellësia e marrëdhënies sonë të mbrojtjes me ShBA-në është pjesë thelbësore e sigurisë sonë dhe operacioni i ekzekutuar sot pa pengesa dëshmon se sa mirë funksionon ajo në praktikë” – thuhet më tej në deklaratën e sekretarit britanik të Mbrojtjes.
Anija transportuese “Bella-1”, tani e riemërtuar “Marinera”, është e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e masave ndëshkuese kundër Iranit, tha qeveria britanike.
Ministria e Mbrojtjes tha se mbështetja për forcat amerikane u dha “në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare”./Nacionale