Britania i del krah Izraelit pas vendimit të GjND-së: Kemi shqetësime të konsiderueshme - NACIONALE

Britania i del krah Izraelit pas vendimit të GjND-së: Kemi shqetësime të konsiderueshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria britanike thotë se ka “shqetësime të konsiderueshme” për një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me të cilin Izraeli urdhërohet që të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar secilin akt të gjenocidit në Gaza.

Të premten, gjykata e OKB-së me seli në Hagë të Holandës e shpalli gjykimin e parë të saj në një rast të paraqitur nga Afrika e Jugut, ku Izraeli urdhërohet edhe që ta lejojë qasjen humanitare në Gaza, por nuk jepet urdhër për armëpushim, raporton gazeta“The Times of Israel”.

“Ne i respektojmë rolin dhe pavarësinë e GjND-së. Megjithatë… ne kemi shqetësime të konsiderueshme për këtë rast, i cili nuk është i dobëshiëm për qëllimin e arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm” - thuhet në një deklaratë të Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

“Izraeli e ka të drejtën për ta mbrojtur veten kundër Hamasit në vijë me DHN-në [të drejtën humanitare ndërkombëtare” – thuhet më tej në deklaratën e zëdhënësit britanik.

“Pikëpamja jonë është që veprimet e Izraelit në Gaza nuk mund të përshkruhen si gjenocid, prandaj ne menduam se vendimi i Afrikës së Jugut për ta ngritur rastin ishte i gabuar dhe provokues” - shtoi zëdhënësi i Zyrës së Jashtme.

Afrika e Jugut e ka akuzuar Izraelin për shkelje të Konventës së OKB-së për Gjenocidin - e miratuar në vitin e largët, 1948, pas pasojave të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit – gjatë fushatës së tij ushtarake në Gaza, që është nxitur nga sulmet e Hamasit më 7 tetor.

Megjithatë, Zyra e Jashtme shtoi se e mirëpret thirrjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për lirim të menjëhershëm të pengjeve dhe për dërgim të më shumë ndihmave në Gaza.

“Ne jemi të qartë se një pauzë e menjëhershme [e luftimeve] është e nevojshme që të futen ndihmat e të nxirren pengjet, dhe pastaj ne duam të ecim drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, të menjëhershëm, pa kthim në luftime”- thuhet në deklaratën britanike.

Lajme të ngjashme