Botsvana e kërcënon Gjermaninë se do t’ia dërgojë 20 mijë elefantë - NACIONALE

Botsvana e kërcënon Gjermaninë se do t’ia dërgojë 20 mijë elefantë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Botsvanës, Mokgweetsi Masisi, ka kërcënuar se do të dërgojë 20 mijë elefantë në Gjermani. Dy shtetet, që ndodhen shumë larg mes vete, janë përfshirë në një përplasje politike.

Më herët këtë vit, Ministria e Mjedisit e Gjermanisë sugjeroi se duhet të ketë kufizime më të ashpra ndaj importimit të trofeve të gjuetisë, raporton televizioni BBC.

Presidentit të Botsvanës, shtet që shtrihet në pjesën jugore të Afrikës, nuk i pëlqeu ky paralajmërim, duke thënë se një masë e tillë vetëm do t’i varfëronte bashkëvendësit e tij.

Sipas Masisit, numri i elefantëve ka “shpërthyer” si rezultat i përpjekjeve për ruajtjen e tyre dhe se gjuetia ndihmon për t’i mbajtur nën kontroll kafshët e mëdha.

Gjermanët duhet “të jetojnë bashkë me kafshët, në mënyrën që ju po mundoheni të na thoni neve të jetojmë”, i tha Masisi gazetës gjermane “Bild”.

Në Botsvanë jetojnë rreth një e treta e elefantëve të botës – më shumë se 130 mijë frymë.

Tufat e elefantëve po u shkaktojnë dëme pronave të banorëve, duke ngrënë të mbjella e duke shtypur njerëz.

Botsvana më parë u ka dhënë 8 mijë elefantë shteteve si Angola, dhe i ka ofruar qindra të tjerë Mozambikut, si përpjekje për ta ulur numrin e këtyre kafshëve në vend.

“Ne do të donim që t’i ofronim një dhuratë të tillë Gjermanisë” – tha Masisi, duke shtuar se kjo nuk është shaka dhe se nuk do ta pranojë “jo”-në si përgjigje.

Botsvana e kishte ndaluar gjuetinë për trofe më 2014, por më 2019 i hoqi kufizimet pas ballafaqimit me presion nga komunitetet lokale.

Shteti afrikan tani lëshon kuota vjetore të gjuetisë, duke thënë se ato ofrojnë burim të mirë të të ardhurave për komunitetin lokal dhe se praktika është e lincensuar dhe kontrollohet në mënyrë të rreptë.

Gjermania është importuesja më e madhe në BE e trofeve të elefantëve afrikanë dhe të trofeve të gjuetisë në përgjithësi, sipas një raporti të vitit 2021 nga organizata “Humane Society International”.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Mjedisit në Berlin i tha agjencisë AFP se Botsvana nuk ka ngritur ndonjë shqetësim me Gjermaninë për këtë çështje.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme