Borrell: Vetoja e Sofjes ndaj Shkupit është 'dhuratë për Rusinë' - NACIONALE

Borrell: Vetoja e Sofjes ndaj Shkupit është 'dhuratë për Rusinë'

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, po bën presion mbi Sofjen për ta hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut, për filluar negociatat e pranimit në BE, duke deklaruar se mungesa e zgjidhjes është në dobi të Rusisë.

Sofja aktualisht po bllokon përparimin e Shkupit drejt anëtarësimit në BE për çështje kulturore, trashëgimie dhe gjuhësore. Meqë përparimi i Maqedonisë së Veriut ëstë i lidhur me atë të Shqipërisë, kjo ka rezultuar që të dy këto vende të mbeten pa përgjigje nga BE.

“Kjo situatë nuk po i dëmton vetëm ata, po na dëmton neve. Po na kushton shumë neve dhe rajonit në aspektin e besueshmërisë dhe perspektivës politike. Është një dhuratë për Rusinë. Është një dhuratë për Rusinë dhe një rast për ta zvarritur më tej këtë çështje”, ka thënë Borrell pas një dreke me ministrat e Ballkanit Perëndimor me rastin e takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, ku temë diskutimi ishte kryesisht paketa e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë.

Borrell tha se Këshilli i BE-së kishte ambicie për të gjetur një zgjidhje dhe "të shmangte një krizë" përpara përfundimit të Presidencës franceze më 30 qershor.

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së tha se mund të ketë një “krizë serioze” me vendet e Ballkanit Perëndimor nëse nuk gjendet zgjidhje deri në këtë datë.

Sipas tij, vonesat e mëtejshme nuk janë në interes të Shkupit dhe Tiranës dhe as të vendeve të BE-së.

“Dua të theksoj se – dhe dua të bëj të qartë angazhimin tim personal si Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme – se duhet të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dhe unë shpresoj, më shumë se shpresoj, më shumë se uroj, që kjo të ndodhë gjatë Presidencës franceze”, tha ai, duke shtuar se “Ne të gjithë e shohim se kjo vonesë është e paqëndrueshme”.

Borrell vlerësoi vendet e Ballkanit Perëndimor që po zbatojnë plotësisht sanksionet evropiane dhe u bëri thirrje të tjerëve, përkatësisht Serbisë, të bëjnë të njëjtën gjë.

Serbia, e cila ka kultivuar një marrëdhënie të veçantë me Rusinë, veçanërisht pas luftës së Kosovës të vitit 1999, nuk është rreshtuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së tha gjithashtu se nuk kishte asnjë lidhje midis bisedimeve të pritshme me Shkupin dhe Tiranën dhe çështjen e ofertës së Ukrainës për në BE.

Çështjet historike

Çështjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut datojnë shumë vite më parë, përkatësisht në kohën kur Serbia dhe Bullgaria luftuan për të dominuar territorin e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, për shkak të trashëgimisë së liderit komunist të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, kohë gjatë së cilës ndjenjat anti-bullgare ishin politikë shtetërore.

Ndërkohë maqedonasit ruajnë një identitet, gjuhë dhe histori të veçantë maqedonase që ata pretendojnë se Bullgaria nuk e respekton dhe nuk e njeh. Në anën tjetër, Sofja këmbëngul se nuk kishte asnjë gjuhë apo identitet të veçantë maqedonas përpara Luftës së Dytë Botërore.

Shumë bullgarë etnikë në Maqedoninë e Veriut janë ankuar për diskriminim nga autoritetet e vendit. Thuhet se 120,000 maqedonas të veriut kanë pasaporta bullgare, shumë prej të cilave janë marrë pas anëtarësimit të Bullgarisë në BE në 2007.

Maqedonia e Veriut pretendon gjithashtu ekzistencën e një pakice maqedonase në Bullgari, e cila nuk njihet zyrtarisht nga autoritetet në Sofje, pavarësisht se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi për këtë çështje jo më pak se 14 herë.

Bullgaria është e shqetësuar se këto çështje nuk do të zgjidhen pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së. Maqedonia e Veriut është e shqetësuar se nëse i bën lëshime Bullgarisë tani, do të vazhdojë ta bëjë këtë gjatë negociatave dhe shqetësimet e saj nuk do të adresohen. Palët e interesuara në Shkup kanë kërkuar që procesi i pranimit të fillojë dhe çështjet e tjera të zgjidhen gjatë hapjes së kapitujve.

Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të përfshijë pakicën bullgare. Megjithatë, ndryshimet kushtetuese janë një proces i vështirë që mund të marrë kohë; ndërkohë, Shkupi kërkon njohjen e identitetit maqedonas.

Lajme të ngjashme