Blinkeni thotë se Izraeli është pajtuar me kushtet për t’u tërhequr nga Gaza - NACIONALE

Blinkeni thotë se Izraeli është pajtuar me kushtet për t’u tërhequr nga Gaza

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të martën se pavarësisht nga komentet e raportuara të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Izraeli është pajtuar për tërheqjen e forcave nga Gaza që përfshihet në propozimin e fundit të ndërmjetësve për t’iu afruar një pakti armëpushimi me Hamasin.

“Marrëveshja është shumë e qartë për kohën dhe lokacionet e tërheqjeve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit nga Gaza dhe Izraelit është pajtuar me këtë” – tha Blinkeni para gazetarëve në Katar, raporton televizioni CNN.

Blinkeni po reagonte për raportimet e mediave se Netanyahu u kishte thënë një grupi të familjeve të viktimave dhe pengjeve që i kishte treguar Blinkenit që Izraeli nuk do të largohej nga korridori Filadelfi përgjatë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit dhe nga korridori Netzarim, që e ndan Gazën në dy pjesë, “pavarësisht nga presioni për të vepruar kështu”.

Sipas raportimeve, Netanyahu kishte shtuar se këto korridore janë “asete strategjike ushtarake dhe politike”.

Blinkeni dhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së kanë refuzuar që të japin hollësi për propozimin e paraqitur nga Uashingtoni javën e kaluar. Propozimi për armëpushim përbëhet nga tri faza dhe në fund e përfshin tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza. Megjithatë, thuhet se zyrtarë izraelitë kanë këmbëngulur që duhet të gjendet një zgjidhje për ta kontrolluar më mirë kufirin mes Egjiptit dhe Gazës, që për një kohë të gjatë është shfrytëzuar për trafikim.

Vendndodhja e trupave në korridorin Filadelfi dhe çështja nëse palestinezët do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre në veri kanë qenë dy prej pengesave më të mëdha gjatë bisedimeve për armëpushim. Hamasi ka këmbëngulur që ushtria izraelite të tërhiqet plotësisht nga Gaza dhe që palestinezëve duhet t’u lejohet kthimi në shtëpi.

Blinkeni tha se Netanyahu i kishte thënë atij drejtpërdrejt në takimin mes tyre se Izraeli ishte pajtuar me “propozimin urë dhe rrjedhimisht me planin e hollësishhëm” për tërheqje.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane iu kundërpërgjigj fuqishëm komenteve të Netanyahut rreth mostërheqjes nga Gaza, duke i quajtur “deklarata maksimaliste” që “nuk janë konstruktive për të arritur te një marrëveshje armëpushimi matanë vijës së finishit”.

Blinkeni foli në Katar në përfundim të një udhëtimi të shkurtër në rajon, përderisa ShBA-ja po e bën atë që shpreson të jetë shtytja përfundimtare për të gjitha palët që të pajtohen për një pakt armëpushimi me të cilin do të ndaleshin luftimet në Gaza dhe do të liroheshin të gjitha pengjet izraelite që po mbahen nga Hamasi.

Kryediplomati amerikan tha të hënën në Izrael se tani përgjegjësia është te Hamasi që gjithashtu të pajtohet me propozimin më të ri për tejkalimin e dallimeve që kanë mbetur mes palëve.

Pas takimeve të nivelit të lartë në Doha të Katarit javën e kaluar, kanë vazhduar bisedime të reja me qëllim të përcaktimit të hollësive përfundimtare të një marrëveshjeje potenciale mes Hamasit dhe Izraelit. Negociatorët e lartë, përfshirë drejtorin e CIA-s, Bill Burns, pritet të takohen përsëri në Kajro këtë javë./Nacionale

Lajme të ngjashme