Blinkeni e ndryshon tonin e ShBA-së para presidentit izraelit: Ka rëndësi se si e bëni këtë
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të premten në Tel-Aviv pranë presidentit izraelit, Isaac Herzog, se vendi i tij qëndron me Izraelin, por se civilët në Gaza duhet të mbrohen.
“Ne qëndrojmë fuqishëm për pohimin se Izraeli jo vetëm që e ka të drejtën, por edhe detyrimin për ta mbrojtur veten dhe të bëjë gjithçka që është e mundshme për t’u siguruar se ky, 7 tetori, të mos mund të ndodhë kurrë më”- tha kryediplomati amerikan, raporton televizioni CNN.
Megjithatë, ai shtoi: “Ka rëndësi se si e bën Izraeli këtë dhe është shumë e rëndësishme që, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e civilëve që rroken nga zjarri i bërë nga Hamasi, që gjithçka të bëhet për t’i mbrojtur ata dhe për t’u sjellë asistencë atyre që kanë dëshpërimisht nevojë për të dhe në asnjë mënyrë nuk ishin përgjegjës për atë që ndodhi më 7tetor. Prandaj, ne po punojmë në tërë këtë së bashku.”
Një burim diplomatik i afërt me bisedimet i tha televizionit CNN të premten se Blinkeni do ta shtyjë Izraelin për “pauzë” të sulmeve ajrore në Gaza “që të lejohet ndërmjetësimi”.
Në anën tjetër, presidenti izraelit e falënderoi sekretarin Blinken për atë që e quajti “qartësi morale”.
Dy politikanët thanë se “janë duke menduar për çdo moment për pengjet tona – aq shumë izraelitë, amerikanë, shtetas të tjerë të huaj”.
“Jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kthyer ata në mënyrë të sigurt, për t’i kthyer që të jenë me familjet dhe të dashurit e tyre”- tha Blinkeni.
