Bien tregjet evropiane të aksioneve pas kërcënimit të Trumpit me taksë 30 për qind ndaj BE-së
Kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump, se do t’u vendosë taksë prej 30 për qind importeve nga Bashkimi Evropian nga muaji i ardhshëm la shenjë menjëherë të hënën në mëngjes në tregun evropian të sanskioneve.
Shumica e tregjeve të Evropës shënuan rënie nga fillimi i tregtisë në javën e re, duke e uluar për 0,6 për qind vlerën e aksioneve në indeksin panevropian, Stoxx 600, raporton gazeta “The Guardian”.
Indeksi gjerman DAX shënoi rënie për 0,95 për qind, ai francez CAC 40 për 0,8 për qind, indeksi Italian FTSE MIB gati 0,9 për qind, ndërsa ai spanjoll IBEX për 0,7 për qind.
Investitorët do t’i vlerësojnë mundësitë që dy palët të arrijnë një marrëveshje deri më 1 gusht dhe do ta kenë parasysh sugjerimin e komisionarit evropian të tregtisë, Maros Sefcovic, se dy palët po i afrohen një rezultati të mirë.
Sidoqoftë, Richard Hunter, shef i tregjeve në kompaninë financiare “Interactive Investor”, tha se kërcënimet e Trumpit me taksa “nuk shfaqin shenja të dobësimit”.
Ministrat evropian të Tregtisë të vendeve të BE-së do të takohen të hënën në Bruksel për diskutime pas njoftimit të befasishëm të Trumpit për taksa ndaj bllokut.
Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara dhe blloku më i madh tregtar në botë. Vendimi i ShBA-së do të ketë pasoja për qeveri, kompani e konsumatorë në të dyja anët e Atlantikut.
“Ne nuk duhet të vendosim kundërmasa në këtë fazë, por duhet të jemi gati për t’i përdorur të gjitha mjetet në kutinë e veglave” – tha para fillimit të takimit ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen. “Pra, ne duam një marrëveshje, por është një thënie e vjetër: Nëse do paqe, duhet të përgatitesh për luftë” – shtoi kryediplomati danez.
Taksat amerikane prej 30 për qind, që janë njoftuar edhe kundër Meksikës, pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe mund të shtrenjtojnë shumë produkte në ShBA, duke filluar nga djathi francez e mallrat italiane të lëkurës deri te pajisjet elektronike gjermane dhe produktet farmaceutike spanjolle si dhe mund të destabilizojnë ekonomi nga Portugalia në Norvegji./Nacionale