Bideni e Erdogani diskutojnë në telefon për luftën në Gaza e hyrjen e Suedisë në NATO
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, dhe homologu i tij turk, Rexhep Erdogan, diskutuan rreth luftës në Gaza dhe aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO përmes një bisede telefonike të enjten, njoftuan dy shtetet përmes deklaratave.
Përmes një deklarate, presidenca turke tha se Erdogani i kishte thënë Bidenit se Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi historike për të siguruar armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, masë që mund të arrihet, nëse ShBA-ja e pakëson mbështetjen e saj të pakushtëzuar për Izraelin, raporton agjencia “Reuers”.
“Është përgjegjësi historike e ShBA-së për të garantuar një armëpushim të përhershëm në rajon sa më shpejt që është e mundshme”- citohet të ketë thënë Erdogani.
Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë tha se Bideni “e përsëriti përkrahjen e tij për të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten” dhe e theksoi “nevojën për një horizont politik për popullin palestinez”, më saktësisht aspiratën e palestinezëve për një shtet në territorin e pushtuar nga Izraeli.
Dy udhëheqësit diskutuan edhe për marrëdhëniet ShBA – Turqi, përfshirë çështjen e shitjes së aeroplanëve luftarakë F-16 Turqisë, tha zyra e Erdoganit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, para gazetarëve tha: “Unë qartazi nuk do të befasohesha aspak, nëse ngrihet edhe çështja që ne vazhdojmë të përkrahim një program modernizimi për F-16-shat e tyre.”
Në tetor të vitit 2021, Turqia kishte kërkuar që të blinte 40 aeroplanë luftarakë F-16 dhe 79 pajisje modernizimi për aeroplanët ekzistues. Administrata e Bidenit e përkrah shitjen me vlerë të 20 miliardë dollarëve, por në Kongres ka pasur ankesa rreth gjendjes së të drejtave të njeriut në Turqi dhe rreth shtyrjes së anëtarësimit të Suedisë në NATO nga Ankaraja.
Shtëpia e Bardhë tha se Bideni e Erdogani diskutuan edhe për “rëndësinë e mirëpritjes së Suedisë si aleate [në NATO] sa më shpejt që është e mundshme dhe për fuqizimin e mëtejmë të ndërveprueshmërisë së Turqisë me aleancën”.