Bideni do të takohet me Zelenskyn në Francë, 225 milionë dollarë ndihmë ushtarake
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet të premten në Paris me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe pritet të njoftojë për ndarjen e 225 milionë dollarëve si pako për ndihmë ushtarake. Takimi mes dy udhëheqësve do të zhvillohet në margjinat e ceremonisë për shënimin e përvjetorit të Ditës D.
Ky do të jetë takimi i parë sy më sy mes dy presidentëve që nga vizita e Zelenskyt në Uashington në dhjetor, kur të dy ishin ballafaquar me kundërshtimin e republikanëve për ndihma të reja për Ukrainën. Bideni dhe Zelensky do të takohen përsëri javën e ardhshme në një samit të Grupit G7 në Itali, kur shtetet e pasura do të diskutojnë për shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse pas fillimit të pushtimit të Ukrainës për t’i ofruar 50 miliardë dollarë Kievit, raporton agjencia “Reuters”.
Zelensky i tha agjencisë “Reuters” muajin e kaluar se vendet perëndimore po vonohen shumë për të marrë vendime rreth ndihmave për vendin e tij.
Gjatë komenteve në Normandi të Francës të enjten, Bideni bëri një krahasim mes përpjekjeve të Luftës së Dytë Botërore kundër tiranisë dhe luftës së Ukrainës me Rusinë, duke e quajtur diktator presidentin rus, Vladimir Putin.
Në pakon prej 225 milionë dollarësh përfshihen predha artilerie dhe municioni i mbrojtjes ajrore, mes tjerash, sipas burimeve. Ukraina është ballafaquar me vështirësi për ta mbrojtur rajonin e Kharkivit pas një ofensive të nisur nga rusët më 10 maj, me të cilën morën nën kontroll disa fshatra.
Bideni javën e kaluar e ndryshoi pozicionin e tij dhe vendosi që Ukraina mund të përdorë armë të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara ndaj caqeve ushtarake brenda Rusisë që po e mbështesin ofensivën ruse në Kharkiv.