Biden vizitoi për herë të parë kufirin me Meksikën
Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, ku po vërshojnë një numër rekord imigrantësh dhe të cilin ai po e viziton për herë të parë që nga fillimi i mandatit të tij.
Presidenti amerikan, të cilin opozita republikane e akuzon se ka mbyllur një sy ndaj krizës, u takua me policinë kufitare në qytetin El Paso të Teksasit. Pasi zbriti nga avioni, ai u prit nga guvernatori konservator i Teksasit, Greg Abbott, i cili akuzon presidentin demokrat për depërtueshmërinë e kufirit.
Vizita e Biden në kufirin jugor të SHBA-së është pjesa e parë e një udhëtimi tre-ditor në Meksikë kushtuar politikës së migracionit dhe luftimit të trafikut të drogës. Në kryeqytetin meksikan, Joe Biden do të marrë pjesë në samit së bashku me homologun e tij meksikan Andres Manuel Lopez Obrador dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau.
Të enjten, Shtëpia e Bardhë njoftoi masat në përpjekje për të lehtësuar kufirin, ku më shumë se 230,000 njerëz u arrestuan në nëntor. Në vitin 2021, SHBA dhe Meksika njoftuan se po ndryshojnë qasjen e tyre ndaj politikës së abuzimit me drogën dhe do të fokusohen në shkaqet e trafikimit, pas 15 vitesh të një strategjie ekskluzivisht ushtarake.
Ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i zinxhirëve të furnizimit me pjesë elektronike për të reduktuar varësinë e SHBA nga Azia do të jenë gjithashtu në agjendë. /Nacionale/