Biden në Cop27: Koha për t’u përballur me krizën klimatike po mbaron - NACIONALE

Biden në Cop27: Koha për t’u përballur me krizën klimatike po mbaron

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Në samitin e Cop27, presidenti amerikan Joe Biden u ka kërkuar vendeve të bëjnë më shumë për të trajtuar urgjencën klimatike, duke thënë se koha për t'u përballur me krizën po mbaron.

Në bisedimet e mbajtura në Egjipt, Biden i’u drejtua një turme të madhe delegatësh duke thënë se "shkenca është jashtëzakonisht e qartë - ne duhet të bëjmë përparim deri në fund të kësaj dekade".

Ndër të tjera, presidenti amerikan deklaroi se Amerika po ndërmerrte veprime për uljen e emetimeve të ngrohjes së planetit dhe se ekonomitë e tjera të mëdha duhet të "ngriten" për të shmangur një shkelje katastrofike prej 1.5C në ngrohjen globale.

“Le të rrisim ambicien dhe shpejtësinë e përpjekjeve tona. Nëse do ta fitojmë këtë luftë, çdo emetues kryesor duhet të përafrohet me 1.5C. Ne nuk mund të deklarojmë më injorancë për pasojat e veprimeve tona ose të vazhdojmë të përsërisim gabimet tona. Të gjithë duhet të vazhdojnë të përshpejtojnë përparimin gjatë kësaj dekade vendimtare,” është shprehur ai.

Biden, i mbështetur nga rezultatet më të mira të zgjedhjeve të mesmandatit për demokratët këtë javë, tha se qeveritë duhet të "vënë shënues të rëndësishëm përparimi" në reduktimin e emetimeve.

Kujtojmë se, shkencëtarët kanë paralajmëruar se bota po shkon drejt niveleve katastrofike të ngrohjes globale, me emetimet që ende nuk kanë rënë aq sa për të shmangur valët e rënda të të nxehtit, zjarret, thatësirat dhe ndikimet e tjera të krizës klimatike.

“Kanë qenë disa vite të vështira; sfidat e ndërlidhura me të cilat përballemi mund të duken gjithëpërfshirëse," u shpreh ndër të tjera Biden, duke akuzuar edhe presidentin rus Vladimir Putin për përdorimin e "energjisë si armë" në pushtimin e Ukrainës - veprim që ka bërë që çmimet e energjisë dhe ushqimeve të rriten globalisht.

Biden, i cili u ndërpre për një kohë të shkurtër nga një grup i vogël protestuesish klimatike, tha se ShBA-të ishin të përkushtuara për të ndihmuar vendet në zhvillim të dëmtuara më keq nga ndikimet klimatike.

Ndërkohë protestues të rinjë dhe aktivistë indigjenë nga ShBA, i bënë thirrje Bidenit të ndalonte nxjerrjen e karburanteve fosile.

Presidenti amerikan e përdori fjalimin në këtë samit, edhe për të zbuluar një sërë masash të reja, duke përfshirë një plan për të ulur emetimet e metanit në ShBA, mbështetjen e sistemeve të reja të paralajmërimit të hershëm për fatkeqësitë ekstreme të motit në Afrikë dhe një marrëveshje për të mbështetur projektet e reja diellore dhe të erës në Egjipt në këmbim që vendi të heqë termocentralet me gaz dhe të ulë emetimet e tij.

Lajme të ngjashme