Biden nderon viktimat e 11 shtatorit, nën hijen e luftës në Afganistan
Duke vendosur një kurorë në Pentagon, në një përkujtimore të zymtë nën shi të vazhdueshëm presidenti amerikan Joe Biden shënoi 21 vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit.
Ceremonia e së dielës ndodhi pak më shumë se një vit pasi Biden i dha fund luftës së gjatë dhe të kushtueshme në Afganistan që ShBA dhe aleatët e nisën në përgjigje të sulmeve terroriste.
Kujtojmë se, presidenti demokrat i dha fund luftës në Afganistan duke ndjekur një premtim të bërë gjatë fushatës për të sjellë në shtëpi trupat nga konflikti më i gjatë i vendit. Por lufta përfundoi në mënyrë kaotike në gusht 2021, kur qeveria afgane e mbështetur nga ShBA u shemb përballë një avancimi të talebanëve në mbarë vendin që e ktheu grupin fundamentalist në pushtet.
Atë kohë, një bombë e marrë përsipër nga një grup ekstremist me bazë në Afganistan vrau 170 afganë dhe 13 trupa amerikanë në aeroportin e Kabulit, ku mijëra afganë të dëshpëruar u mblodhën me shpresën e arratisjes përpara largimit përfundimtar të ShBA-së.
Ndërkohë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Biden në fjalimin e tij të dielën do të njohë ndikimin që sulmet e vitit 2001 patën në ShBA dhe botë, si dhe do të nderoj afro 3000 njerëz të vrarë atë ditë kur rrëmbyesit e al-Kaidës morën kontrollin e avionëve tregtar duke i përplasur në Qendrën Tregtare Botërore të Nju Jorkut, Pentagon dhe një fushë në Pensilvani.
"Unë mendoj se ju do ta dëgjoni atë të flasë se si Amerika do të qëndrojë vigjilente ndaj kërcënimit, por gjithashtu do të shikojë kërcënimet dhe sfidat e ardhshme dhe do të jetë në gjendje të mësojë t'i përballojë ato kërcënime dhe sfida," tha Kirby.
Biden shënoi njëvjetorin e tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani muajin e kaluar. Ndërsa të enjten, udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell kritikoi trajtimin e Bidenit për përfundimin e luftës dhe vuri në dukje ndikimin që ka pasur në vend sundimi i përtërirë taleban që nga tërheqja.
"Tani, një vit pas katastrofës së gushtit të kaluar, shkalla shkatërruese e pasojave nga vendimi i presidentit Biden është vënë në fokus më të mprehtë," tha McConnell, duke shtuar se, "Afganistani është bërë një problem global. Ekonomia e vendit është tkurrur me gati një të tretën. Gjysma e popullsisë së saj po vuan nivele kritike të pasigurisë ushqimore.”
Në përkujtim të 11 shtatorit do të flasë edhe Zonja e Parë Jill Biden si dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj.

