Biden i thotë Obamës se do të kandidojë sërish për president në zgjedhjet 2024
Presidenti Biden i ka thënë privatisht ish-presidentit Barack Obama se ai do të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2024 - duke lënë të kuptohet se ai e ka marrë shumë seriozisht fitimin e një mandati të dytë.
Biden, 79 vjeç, tashmë është presidenti më i vjetër ndonjëherë në ShBA dhe nëse do të fitonte një mandat të dytë, në përfundim të tij do të ishte 86 vjeç.
Presidenti dhe ndihmësit e tij kanë thënë vazhdimisht në publik se ai e ka në plan të kandidojë përsëri, por nëse nuk do ta thoshte këtë gjë, axhenda e tij politike mund të zbehej dhe mund të nisej një luftë e brendshme mes demokratëve për ta zëvendësuar atë.
New York Post shkruan se The Hill ka raportuar fillimisht për diskutimet e Biden me Obamës, duke cituar dy burime që kishin njohuri për bisedën e tyre. Njëri nga burimet kishte thënë se “Biden do të kandidojë sërish dhe po ua bënë të qartë të gjithëve."
Megjithatë, sipas sondazheve të fundit nga RealClearPolitics, në një ripërsëritje të zgjedhjeve të 2020 Trump do ta mundte Biden me 6 përqind më shumë, ndërsa Kamala Harris-in me 11 përqind më shumë.
Biden mori detyrën pasi fitoi më shumë vota nga çdo kandidat në historinë e ShBA-së, por mbështetja për të u ul pas tërheqjes së trupave ushtarake nga Afganistani në muajin gusht. Gjendja e publikut u përkeqësua edhe më tej me rritjen e inflacionit në nivelin më të lartë prej katër dekadash, ndërsa rritje shënoi edhe krimi dhe imigracioni i paligjshëm.
Raportet nuk kane bërë të qartë se kur dhe ku Biden i ka thënë Obamës për planet e tij, por ish-presidenti popullor ishte në Shtëpinë e Bardhë këtë muaj për të festuar 12 vjetorin e miratimit të ObamaCare.
Biden prej muajsh ka thënë publikisht se synon të kandidojë përsëri, ku muajin e kaluar u shpreh se do të ishte “shumë fat” të përballej me Trump në vitin 2024.