BE-ja e propozon përdorimin e aseteve të ngrira ruse ose huave për t’i dhënë Ukrainës 90 miliardë euro
Komisioni Evropian të mërkurën propozoi një përdorim të pashembullt të aseteve të ngrira ruse ose huave ndërkombëtare për të siguruar 90 miliardë euro për Ukrainën që ky shtet t’i mbulojë shpenzimet themelore dhe ushtarake gjatë luftës me Rusinë.
Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka deklaruar se mbështet një “hua dëmshpërblimesh” duke i përdorur asetet shtetërore ruse të ngrira në BE për shkak të pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, Belgjika, ku janë duke u mbajtur shumica e këtyre aseteve, ka shprehur shqetësime ligjore dhe nuk është bindur nga ky propozim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne do të propozojmë që të mbulojmë dy të tretat e nevojave financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme. Ato janë 90 miliardë euro. Pjesa tjetër do të mbetet që të mbulohet nga partnerët ndërkombëtarë” – tha para gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Pasi presioni është gjuha e vetme ndaj të cilës përgjigjet Kremlini, ne gjithashtu mund ta shtojmë atë. Duhet t’i rrisim kostot e luftës për agresionin e Putinit dhe propozimi i sotëm na i jep mjetet për ta bërë këtë” – shtoi zyrtarja e lartë evropiane.
Ajo tha se në propozimin drejtuar vendeve të BE-së janë marrë parasysh të gjitha shqetësimet e ngritura nga Belgjika, institucioni financiar me bazë në Bruksel i së cilës, “Eurostar”, është mbajtësi kryesor i aseteve të ngrira ruse.
Qeveria e Belgjikës “nuk e ndan atë vlerësim”, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë. “Belgjika nuk mund të pranojë që t’i kërkohet t’i bartë rreziqet e një operacioni të tillë e vetme” – shtoi ai.
Rusia i ka paralajmëruar Bashkimin Evropian dhe Belgjikën kundër shfrytëzimit të aseteve të saj, që, sipas Moskës, do të ishte akt i vjedhjes./Nacionale