BE-ja “e ka planin B”, nëse Hungaria i bllokon 50 miliardë eurot për Ukrainën
Bashkimi Evropian do të mund ta anashkalojë veton e mundshme të Hungarisë dhe t’i japë Ukrainës 50 miliardë euro ndihma, thonë zyrtarët e bllokut, përderisa Kievi po i vazhdon përpjekjet për t’i dëbuar rusët nga tokat e pushtuara prej tyre.
Komisioni Evropian e ka propozuar zgjerimin e mbështetjes financiare për ta ndihmuar Ukrainën që t’i japë rrogat e punëtorëve dhe t’i përballojë shpenzimet e tjera, ndërsa vendet e BE-së pritet të votojnë për këtë pako në samitin që mbahet më 14 e 15 dhjetor, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, disa brengosen se kjo ndihmë mund të bllokohet nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka lidhje me Rusinë dhe është ankuar për dhënien e mbështetjes së ngjashme në të kaluarën. Pako të tilla mund të miratohen vetëm me pajtimin e të gjitha shteteve të BE-së.
Autoritetet hungareze nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Në rast se Budapesti e shfrytëzon të drejtën e vetos, dy zyrtarë të BE-së thanë se blloku ka një mënyrë për ta a nashkaluar këtë pengesë, duke kërkuar nga secili shtet i Bashkimit Evropian që të hartojnë pako të tyre të ndihmave për Kievin. Të gjitha së bashku, paktet e këtyre vendeve do ta përbënin shumën e njëjtë për Ukrainën.
“Hungaria rrezikon që ta teprojë me fatin e vet. Do të donim që t’i kishim me vete, por vjen një pikë, kur njerëzit lodhen me Budapestin që i mban të gjithë peng. Zgjidhja është e lodhshme, por e kemi atë, nëse nevojitet”- tha një zyrtar i BE-së.
Një tjetër zyrtar i bllokut, që foli në kushte anonimiteti, u pajtua me këtë vlerësim. “Çështja e të hollave për Ukrainën do të zgjidhet në një mënyrë ose në një tjetër. Kievi do ta marrë mbështetjen e BE-së”- tha ai.
“Nëse Hungaria bëhet pengesë për unanimitetin e nevojshëm për ta bërë këtë përmes buxhetit të BE-së, shtetet anëtare do të gjejnë një mënyrë tjetër, si një marrëveshje ndërqeveritare ose garancitë shtetërore”- shtoi zyrtari evropian.
Vitin e kaluar, Hungaria kishte bllokuar një propozim të ngjashëm për t’i dhënë Ukrainës 18 miliardë euro asistencë financiare më 2023. Pas disa muajve zhagitje, Budapesti më në fund ishte pajtuar që ta jepte dritën e gjelbër, pasi i kishte fituar ato që i kishte quajtur koncesione rreth ndihmës për Hungarinë.