Barcelona gjoba deri në 500 euro atyre që vozisin trotinetë elektrikë në trotuare
Kushdo që vozit trotinet elektrik në trotuar ose pa helmet në Barcelonë, do të ballafaqohet me gjobë deri në 500 euro nga 1 shkurti si pjesë e shtypjes ndaj sjelljes antisociale të lidhur me shtimin e shpejtë të përdorimit të trotinetëve elektrikë në qytetin spanjoll.
Në një terren urban që është kryesisht i rrafshët, me më shumë se 250 kilometra shtigje për çiklizëm, me 2.500 orë rreze dielli e me vetëm 44 ditë me shi në vit, trotinetët elektrikë janë zgjedhje e përsosur. Sipas shifrave të këshillit të qytetit, numri i njerëzve që përdorin trotinetë elektrikë që nga pandemia është rritur për katërfish më shpejtë se i atyre që e zgjedhin biçikletën, raporton gazeta “The Guardian”.
Këshilli i qytetit tani vlerëson se trotinetët elektrikë përbëjnë rreth 44 mijë udhëtime në ditë, rritje e madhe në krahasim me zero sa ishin para pesë vjetëve. Gratë përbëjnë 31 për qind të drejtuesve të këtyre mjeteve të transportit, në krahasim me 19 për qind në mesin e çiklistëve.
Sipas rregullave të reja, shpejtësia maksimale e lëvizjes për trotinetë elektrikë është 25 kilometra në orë. Adria Gomila, që është përgjegjës për lëvzijet në Barcelonë, thotë se nëse trotinetët elektrikë lëvizin mbi 25 kilometra në orë, ata duhet të klasifikohen si motoçikleta dhe për ta do të nevojitet licensa.
Përderisa skema për dhënien e biçikletave me qira në Barcelonë ka qenë shumë e suksesshme, qyteti i ndaloi trotinetët elektrikë me qira më 2023, vitin e njëjtë kur edhe Parisi mori vendim për ndalimin e tyre. Në kulmin e përdorimit, në kryeqytetin francez ndodheshin 15 mijë trotinetë elektrikë me qira.