Australia i ofron dëmshpërblim milionësh gruas së burgosur pa të drejtë për 20 vjet
Shteti Australian, Uellsi i Ri Jugor, i ka ofruar dëmshpërblim prej 2 milionë dollarësh australianë (1,31 milion dollarë amerikanë) një gruaje që është mbajtur pa të drejtë në burg për dy dekada për vdekjen e katër fëmijëve të saj të vegjël. Avokatja e saj e kundërshtoi shumën, duke e përshkruar si “të padrejtë”.
Kathleen Folbigg, 58 vjeçe, ishte shpallur fajtore më 2003 për vrasjen e tre prej fëmijëve të saj dhe për vrasje pa dashje për vdekjen e fëmijës së katërt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Asaj më vonë i ishte falur dënimi, ishte liruar dhe vendimet dënuese ishin anuluar më 2023, pasi një juri e pavarur kishte zbuluar dëshmi të reja shkencore se fëmijët mund të kenë vdekur nga shkaqe natyrore ose për shkak të një mutacioni gjenetik.
Të enjten, prokurori shtetëror Michael Daley tha se qeveria kishte bërë një pagesë ex-gratia për zonjën Folbigg pas “shqyrtimit të gjerë” të pretendimit të saj për dëmshpërblim në korrikun e vitit 2024.
Një pagesë e tillë – ex-gratia - është dhuratë vullnetare që nuk rrjedh nga një detyrim ligjor.
Avokatja e të dëmtuarës, Rhanee Rego, e quajti pagesën “thellësisht të padrejtë”, pasi nuk e pasqyron nivelin e dhimbjes dhe vuajtjes që është duruar nga klientja e saj.
Ajo bëri thirrje për zhvillimin e një hetimi për atë se si është vendosur për këtë shifër të hollash.
Zonja Folbigg nuk i humbi vetëm fëmijët e saj, por 20 prej viteve më të mira të jetës së saj dhe vazhdoi të ndiente efekte të gjata nga trauma, tha avokatja Rego.
Fëmijët, të moshës nga 19 ditë deri në 18 muaj, kishin vdekur brenda një periudhe 10-vjeçare, nga viti 1989 deri më 1999.
Folbigg ishte dënuar në vitin 2003 në bazë të pretendimeve të prokurorit se ajo ua kishte zënë frymën katër fëmijëve, pavarësisht nga mungesa e dëshmive mbështetëse. Dënimi prej 40 vitesh burgim më vonë i ishte zvogëluar në 30 vjet, me një periudhë prej 25 vjetësh pa të drejtë të faljes ose apelimit.
Në atë kohë, mediat e kishin përshkruar të akuzuarën si “gruaja më e urryer në Australi” dhe “nënë monstruoze”, mes fjalëve të tjera./Nacionale/Nasuf Abdyli