Arrihet marrëveshje për korridor humanitar për gratë fëmijët e pleqtë në Mariupol
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, ka njoftuar se është arritur marrëveshje për hapjen e një korridori humanitar për evakuimin e grave, fëmijëve dhe pleqve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
“Duke e marrë parasysh situatën katastrofike humanitare në Mariupol, në këtë drejtim do t’i përqendrojmë përpjekjet tona sot. Ne arritëm të merremi vesh paraprakisht për një korridor humanitar për gratë, fëmijët dhe pleqtë”, tha ajo.
Civilët udhëzohen që të grumbullohen në orën 14:00 dhe vargu i tyre më pas do të niset për në Zaporizhzhia përmes Berdyanskut.
“Për shkak të situatës shumë të vështirë, gjatë korridorit mund të ndodhin ndryshime. Prandaj, ju lus që t’i ndiqni njoftimet përkatëse zyrtare. Ne do ta bëjmë më të mirën që gjithçka të funksionojë si duket”, tha zyrtarja e lartë.
Megjithatë, nënkryetari i Mariupolit, Sergei Orlov, më herët shprehu mosbesim ndaj rusëve për evakuimin e civilëve.
“Mos i besoni asnjë fjale nga Rusia. Do të ishte mirë, nëe ata i lejojnë civilët që të largohen nga Azovstal-i, por ata nuk e lejuan këtë për pesëdhjetë ditë, pse duhet ta lejojnë tash”, tha ai.