Arrestime masive në Turqi para zgjedhjeve, synohen zonat kurde - NACIONALE

Arrestime masive në Turqi para zgjedhjeve, synohen zonat kurde

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia turke ka arrestuar të paktën 126 persona të dyshuar për lidhje me një grup militant kurd, përpara zgjedhjeve të 14 majit.

Sipas raportimeve të mediave turke, personat janë arrestuar nën dyshimin se financonin dhe ndihmonin në rekrutime për PKK-në, (konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, ShBA dhe BE).

Ndërkohë, BBC raporton se në personat e arrestuar përfshihen avokatë, gazetarë dhe politikanë.

Lidhur me arrestimet ka pasur reagime edhe nga partia kryesore pro-kurde, duke thënë se ato janë planifikuar për të ndikuar në votime.

Dihet që kanë mbetur vetëm 19 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Turqi, prandaj partia pro-kurde HDP ka thënë se avokatët janë arrestuar pasi mund të kontrollonin sigurinë e zgjedhjeve, gazetarët për arsye se mund të raportonin për mashtrim të mundshëm të votave dhe politikanët në mënyrë që të kufizohet ndikimi i tyre në fushata partiake.

Në anën tjetër, agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë, Anadolu, ka thënë se disa nga të arrestuarit në bastisjet e së martës kanë qenë të lidhur me 60 protesta në rrugë dhe rrëmbime të fëmijëve dhe kanë qenë të drejtuara nga vetë prokurorët publikë në qytetin me shumicë kurde të Dijarbakirit.

Partia HDP mohon lidhjet me PKK-në dhe është partia e dytë më e madhe opozitare në Turqi, me mijëra anëtarë të së cilës janë burgosur, përfshirë ish-liderin e saj Selahattin Demirtas.

Kujtojmë se zgjedhjet e 14 majit po shihen si më të rëndësishmet në Turqi prej vitesh, me gjashtë parti opozitare të bashkuara pas një kandidati të vetëm Kemal Kilicdaroglu e me sondazhe që janë duke treguar një garë të gushtë me koalicionin në krye me Recep Tayyip Erdogan.

Lajme të ngjashme