Armëpushimi dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit: Çka dihet deri më tash për marrëveshjen Trump-Iran?
Sulmi i madh i Amerikës u stopua. Marrëveshja u arrit. Armëpushim dyjavor mes Amerikës e Izraelit në njërën anë, dhe Iranit në anën tjetër.
Kështu bëri të ditur presidenti i Amerikës, Donald Trump.
rump tha se marrëveshja për armëpushim u bë me kusht që Irani të pranojë ta rihapë Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit.
“Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif dhe Feldmarshallin Asim Munir, të Pakistanit, dhe ku ata kërkuan që unë ta ndal forcën shkatërruese që po dërgohej sonte drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë pranoj ta pezulloj bombardimin dhe sulmin ndaj Iranit për një periudhë prej dy javësh. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM DYPALËSH!” postoi Trump në Truth Social.
“Arsyeja për ta bërë këtë është se ne tashmë kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake dhe jemi shumë përpara drejt një Marrëveshjeje përfundimtare lidhur me PAQEN afatgjatë me Iranin dhe PAQEN në Lindjen e Mesme”, shkroi Trump.
“Ne morëm një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme mbi të cilën mund të negociohet. Pothuajse të gjitha pikat e ndryshme të mosmarrëveshjeve të mëparshme janë rënë dakord midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që Marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet. Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si President, dhe gjithashtu duke përfaqësuar vendet e Lindjes së Mesme, është një nder që ky problem afatgjatë të jetë pranë zgjidhjes”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, shkroi në X se nëse sulmet kundër Iranit ndalen, forcat e armatosura iraniane do t'i ndërpresin sulmet e tyre kundër objektivave në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Për një periudhë prej dy javësh, kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit dhe duke marrë në konsideratë kufizimet teknike”, tha ai.
Izraeli ka thënë se e mbështet vendimin e Trumpit për t’i pezulluar sulmet kundër Iranit, por se “armëpushimi dyjavor nuk e përfshin Libanin”.
Shtëpia e Bardhë ka shpallur fitoren pas njoftimit të armëpushimit me Iranin.
"Kjo është një fitore për Shtetet e Bashkuara që presidenti Trump dhe ushtria jonë e jashtëzakonshme e bënë të mundur", ka thënë Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se ai "rihapi Ngushticën e Hormuzit".
Leavitt vëren se presidenti kishte thënë që në fillim se "Operacioni Epic Fury" do të ishte një operacion katër deri në gjashtë javë, duke shtuar se SHBA-ja "arriti dhe tejkaloi objektivat kryesore ushtarake në 38 ditë".