Arabia Saudite rikonfirmon: Qëndrojmë me popullin palestinez
Princi Mohammed bin Salman i Arabisë Saudite ka biseduar në telefon me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, të cilit ia ka ripohuar mbështetjen e mbretërisë ndaj popullit palestinez.
Bin Salmani tha se Arabia Saudite do të vazhdojë që “të qëndrojë pranë popullit palestinez për t’i arritur të drejtat e tij legjitime për jetë të denjë, për t’i arritur shpresat e aspiratat e veta dhe për të arritur paqe të drejtë e të qëndrueshme”- raportoi agjencia shtetërore saudite e lajmeve.
Ai i tha Abbasit se ishte duke punuar me të gjitha palët ndërkombëtare e rajonale për ta parandaluar zgjerimin e konfliktit, raporton televizioni BBC.
Vlen të theksohet se Abbasi dhe Hamasi, grup që e kontrollon Rripin e Gazës, janë rivalë politikë. Abbasi e udhëheq lëvizjen “Fatah”, që e kontrollon Bregun Perëndimor. Ai e udhëheq edhe Organizatën për Çlirimin e Palestinës.
Megjithatë, përkrahja e Arabisë Saudite për palestinezët është domethënëse, sepse vjen në kohën e bisedimeve trepalëshe që ishin duke u zhvilluar mes Izraelit, Arabisë Saudite dhe ShBA-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Riadit dhe Tel Avivit.
Analistët thonë se eskalimi i konfliktit u ka dhënë goditje të rëndë bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.
Në një deklaratë të publikuar të shtunën pas sulmit të Hamasit, Arabia Saudite e mbajti Izraelin përgjegjës për eskalimin.
Në atë deklaratë u tha se Arabia Saudite “kishte lëshuar paralajmërime të përsëritura për rrezikun e zgjerimit të situatës si rezultat i pushtimit të vazhduar dhe privimit të popullit palestinez nga të drejtat legjitime të tij dhe përsëritja e provokimeve sistematike kundër vendeve të shenjta të tij”.
