AP: Paralajmërim i Bidenit për rrezikun bërthamor, përtej kufijve të inteligjencës amerikane
Paralajmërimi i presidentit amerikan, Joe Biden, se bota është në rrezik nga një luftë bërthamore, është bërë për të dërguar një mesazh të qartë se askush nuk duhet ta nënvlerësojë rrezikun e jashtëzakonshëm, nëse Rusia përdor armë taktike bërthamore në luftën e saj në Ukrainë, thanë të premten zyrtarët e administratës amerikane.
Vlerësimi i zymtë i presidentit, i bërë gjatë një tubimi për mbledhje të fondeve për Partinë Demokratike të enjten në mbrëmje, u përhap përreth botës dhe u duk se shkoi përtej kufijve të vlerësimeve të tanishme të inteligjencës amerikane. Zyrtarët amerikanë të sigurisë vazhdojnë të thonë se ata nuk kanë dëshmi që Vladimir Putini ka plane të menjëhershme për një sulm bërthamor, përcjell Nacionale.
Bideni filloi të fliste për Ukrainën në fund të fjalimit standard për grumbullim të mjeteve financiare, duke thënë se Putini “nuk po tallet, kur flet për përdorimin e armëve taktike bërthamore, biologjike ose kimike”.
“Nuk jemi ballafaquar me mundësinë e Armagedonit që nga (koha e pushtetit të presidentit) Kennedy dhe kriza kubane e raketave”, shtoi ai. Presidenti amerikan pretendoi se kërcënimi nga Putini është real, “sepse ushtria e tij është – mund të thoni – duke performuar dobët në masë të konsiderueshme”.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, të premten nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse Bideni kishte shkuar në tubim për ta kujtuar shkatërrimin bërthamor, përderisa Shtëpia e Bardhë u përpoq që t’i qartësonte komentet e atypëratyshme të presidentit.
Ajo u tha gazetarëve: “Fjalët e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore janë të papërgjegjshme dhe nuk ka mundësi që ato të përdoren pa pasoja të paqëllimshme. Kjo nuk mund të ndodhë.” Jean-Pierre shtoi se “nëse kriza kubane e raketave na ka mësuar ndonjë gjë, kjo gjë është vlera e uljes së rrezikut bërthamor dhe që të mos vringëllohet ai.”
Ekipi i Bidenit për siguri kombëtare me muaj ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armë të shkatërrimit në masë në Ukrainë për shkak të ballafaqimit me një varg humbjesh strategjike në fushëbetejë. Sidoqoftë, komentet e presidentit Biden ishin paralajmërimi më i zymtë deri më tani nga qeveria amerikane për rrezikun bërthamor.
Një zyrtar amerikan tha se Bideni gjithashtu po mundohej që të paralajmëronte kundër nënvlerësimit të rrezikut për përdorimin e cilitdo nivel të armëve taktike bërthamore.
Në administratën amerikane ekziston ca shqetësim se Rusia ka vlerësuar që mund ta përdorë arsenalin e saj bërthamor në një mënyrë që dallon nga sulmi i plotë bërthamor në Ukrainë dhe të ballafaqohet vetëm me reagim të kufizuar nga ShBA-ja e aleatët e saj perëndimorë, të cilët janë të vendosur që konfliktin në Ukrainë të mos e shndërrojnë në një luftë më të gjerë, sipas zyrtarit amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti.
Putini vazhdimisht ka aluduar në përdorimin e arsenalit të madh bërthamor të vendit të tij, përfshirë një rast muajin e kaluar, kur ai i njoftoi planet për mobilizimin e burrave rusë për të luftuar në Ukrainë.
“Dua t’ju kujtoj se vendi ynë gjithashtu ka mjete të ndryshme të shkatërrimit... dhe kur integriteti territorial i vendit tonë rrezikohet, për t’i mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne sigurisht se do t’i përdorim të gjitha mjetet që janë në dispozicionin tonë. Kjo nuk është shtirje”, tha presidenti rus.
Pas deklaratës së presidentit amerikan, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë tha se ShBA-ja “nuk ka parë ndonjë arsye për ta përshtatur qëndrimin tonë strategjik bërthamor dhe as nuk kemi shenja se Rusia është duke u përgatitur për përdorim të menjëhershëm të armëve bërthamore”.
Kjo nuk është hera e parë që komentet e Bidenit duket se dalin jashtë margjinave të politikës së ShBA-së. Muajin e kaluar, ai tha në një intervistë se “Forcat e ShBA-së, burrat e gratë e ShBA-së do ta mbronin Tajvanin në rast të një pushtimi kinez”. Pas intervistës, Shtëpia e Bardhë tha se politika e ShBA-së ndaj Tajvanit nuk ka ndryshuar. Kjo politikë thotë se Uashingtoni dëshiron ta shohë zgjidhjen e statusit të Tajvanit në mënyrë paqësore, por nuk tregon nëse forcat amerikane do të dërgoheshin atje në rast të një sulmi nga Kina.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

