Politikanët lokalë bëhen bashkë për ta sfiduar Putinin - NACIONALE

Politikanët lokalë bëhen bashkë për ta sfiduar Putinin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dështimet ushtarake të Rusisë në luftën e saj me Ukrainën po nxitin kundërshtime të reja kundër presidentit Vladimir Putin, sipas dy politikanëve lokalë, të cilët kanë dalë kundër tij.

CNN

Mungesa e një fitoreje të shpejtë, paaftësia për ta marrë Kievin dhe tash kundërsulmet e suksesshme nga Ukraina përderisa Rusia ka humbur aq shumë trupa dhe aq shumë pajisje, kanë krijuar zemërim dhe pakënaqësi që kundërshtarët e Putinit po mundohen t’i shfrytëzojnë.

“Është një pikë ku edhe grupet liberale të njerëzve, edhe grupet pro luftës mund ta kenë qëllimin e njëjtë. Qëllimi mund të jetë dorëheqja e Putinit”, tha Dmitry Palyuga, politikan lokal në Shën Petersburg, vendlindje e Putinit, duke bërë thirrje që presidenti të hetohet.

Përderisa liberalët si ai e kishin kundërshtuar pushtimin e Ukrainës për arsye humanitare e ligjore, Palyuga i tha televizionit CNN se tash sheh një derë për të marrë më shumë përkrahje.

“Ne donim që të shënjestronim disa njerëz që e përkrahnin Putinin më parë dhe tash ndihen të tradhtuar. Ushtria ruse momentalisht po shkatërrohet. Prandaj, ne humbim njerëz, humbim armë dhe e humbim aftësinë tonë për t’u mbrojtur... As propaganda ruse nuk mund ta fshehë këtë, që ushtria ruse po mposhtet në Ukrainë”, tha Palyuga.

S’mund të sigurojë shteg për biçikleta, por mund të flasë kundër Putinit

Kritikimi i qeverisë ruse mund të jetë detyrë e vështirë në Rusinë e Putinit. Kritiku i tij më i zëshëm, udhëheqësi i opozitës, Alexey Navalny, fillimisht ishte helmuar, pastaj ishte burgosur. Një tjetër kundërshtar politik, Boris Nemtsov, ishte qëlluar në shpin nga vrasës me pagesë, që nuk kanë treguar se kush i ka paguar. Shkrimtari dhe politikani Vladimir Kara-Murza ndodhet në burg për shkak se ka folur kundër pushtimit të Ukrainës.

Palyuga thotë se kritikët më të rinj të Putinit po tregohen shumë të kujdesshëm në mënyrë që të qëndrojnë brenda ligjit, shkruan CNN, përcjell Nacionale.

Ksenia Thorstrom, anëtare e këshillit lokal gjithashtu në Shën Petersburg, po investon në këtë qasje.

“Njëra nga gjërat që një përfaqësues komunal mund t’i bëjë është që ta bëjë këtë deklarim publik. Ne vërtet nuk kemi autoritet ose pushtet për të bërë diçka – as në nivelin lokal – jemi shumë të kundërshtuar nga “Rusia e Bashkuar” (partia e Putinit). Edhe për nisma të thjeshta si shtigjet për biçikleta, për shembull, ata na kundërshtojnë”, tha zonja Thorstrom.

“Asnjëra nga nismat e mia nuk është pranuar ndonjëherë, por unë mund të bëj deklarata publike dhe kjo është ajo që e kam bërë”, shtoi ajo.

Thorstrom e ka qarkulluar versionin e saj të peticionit të Palyuga-s te ligjvënësit e tjerë lokalë dhe tashmë ka dhjetëra nënshkrime, sipas saj.

Ajo thotë se problemet nuk ishin vetëm në Ukrainë me ushtrinë, por gjithashtu ndikimi i tyre brenda Rusisë. “Rusët janë bërë të varfër, nuk janë të mirëpritur askund. Pastaj, ka më pak pajisje, furnizime”, tha ligjvënësja lokale.

Sidoqoftë, ajo di nga përvoja personale se Putini ende ka përkrahje të konsiderueshme. Thotë e edhe nëna e saj i beson propagandës së Kremlinit dhe jeton në “njëfarë realiteti paralel, ku Putini po e bën Rusinë të madhe përsëri”.

Përderisa Palyuga nuk pret aspak që politikanët qendrorë brenda Dumës, parlament i kontrolluar nga Putini, do ta shqyrtojnë kauzën e tij, ai tashmë pretendon se ka shënuar ca sukses.

“Donim t’ju tregonim njerëzve që nuk janë vetëm, që ka njerëz të tjerë e madje këshilltarë komunalë që janë kundër këtij operacioni ushtarak dhe kundër Putinit dhe ne duam që t’i bashkojmë njerëzit e t’u japim ca shpresë”, tha ai.

Që nga hera e parë, kur i bëri thirrje parlamentit që ta hetonte Putinin, Palyuga tha se ka marrë shumë mesazhe me përkrahje, në të cilat njerëzit janë zotuar që t’i dhurojnë para për t’i paguar gjobat dhe madje i kanë ofruar vend për ta fshehur, nëse është e nevojshme.

Atë që nuk e ka marrë është rrëkeja e pritshme e urrejtjes. “Kam pranuar vetëm dy mesazhe në të cilat njerëzit më akuzuan për disa gjëra të këqija. Dy mesazhe janë sasi shumë e vogël e urrejtjes dhe unë kam shumë përkrahje. Në të vërtetë, nuk kam pritur që do të ndodhë kështu”, tha Palyuga.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme