A mund të dënohet Putini për krime në Ukrainë?
Vladimir Putin është një nga emrat më të lakuar gjatë javëve të fundit për shkak të ngjarjeve në Ukrainë. Vrasje civilësh, bombardime, e deri te përmendja e armëve nukleare ishin zhvillimet që i përdori presidenti rus publikisht. Por, a mund të dënohet ai për krime, të cilat supozohet se janë duke u kryer në Ukrainë?
Përgjegjësia e tërthortë e Putinit
Vladimir Putin, aktualisht mban postin e presidentit në Republikën Federale të Rusisë dhe përfaqëson vendin brenda dhe jashtë. Sipas Kushtetutës së Rusisë, Putini është komandant suprem i forcave të armatosura ruse dhe, rrjedhimisht, mund të vihet para drejtësisë mbi bazën e përgjegjësisë së tërthortë - që buron nga zinxhiri komandues. Term ky jo i panjohur edhe në Kosovë. Ngjashëm po mbështeten edhe Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat gjykojnë mbi atë bazë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të drejtën ndërkombëtare, individi mund të vihet para drejtësisë mbi bazën e përgjegjësisë së tërthortë, nëse ekziston pozita drejtuese, dijenia mbi krimet e kryera dhe dështimi për të marrë masa brenda kompetencave të tij, të cilat do ta parandalonin kryerjen e krimeve. Në rastin në fjalë, kriteri i parë s’ka nevojë të provohet sepse është fakt i njohur që Putini është udhëheqës shtetëror. Nëse vërtetohen krimet ruse, edhe dy kriteret e tjera s’duken shumë të vështira për t’u provuar.
Pra, përgjegjësia e tërthortë është përgjegjësi për krime - të cilat individi nuk i kryen drejtpërdrejt, por konsiderohet përgjegjës në bazë të pozitës së lartë dhe autoritetit që gëzon ndaj personave, të cilët i kryejnë drejtpërdrejt ato krime. Sepse konsiderohet se këta të fundit nuk veprojnë pa urdhër apo pëlqim të individit të tillë.
Krimet ruse
Në mënyrë që Putini të vihet para drejtësisë, duhet të ekzistojë dyshimi i arsyeshëm mbi krimin specifik të kryer në Ukrainë. Bazuar në supozimet e ngritura nga Ukraina, shtete të ndryshme dhe media e organizata joqeveritare, raportohet se janë sulmuar shumë objekte civile dhe kanë vdekur dhjetëra civilë. Vrasja e civilëve është e ndaluar me të drejtën ndërkombëtare humanitare, ashtu si dhe shkatërrimi i objekteve civile, të cilat nuk përdoren për qëllime ushtarake nga pala tjetër. Madje Ukraina shkon aq larg, sa pretendon se Rusia është duke shkaktuar gjenocid.
Sidoqoftë, janë katër lloje krimesh, për të cilat Gjykata Ndërkombëtare Penale ka juridiksion: gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, dhe krimi i agresionit. Për këtë të fundit, Putini s’mund të gjykohet në bazë të përgjegjësisë së tërthortë.
1. Gjenocidi
Sipas statutit të gjykatës, gjenocidi nënkupton vrasjen, lëndimin serioz trupor apo mendor, masa me qëllim të parandalimit të shtimit të lindjeve, transferimi i fëmijëve të një grupi në grupin tjetër, me qëllim të shkatërrimit të plotë apo të pjesshëm të një grupi kombëtar, etnik, religjioz, racor.
2. Krimet kundër njerëzimit
Këtu përfshihen disa krime, si: vrasja, përdhunimi, tortura, aparteidi, burgimi apo ndonjë privim tjetër i kundërligjshëm i lirisë, shfarosja, skllavërimi, etj.. Këto duhet të kryhen me dijeni, si pjesë e sulmit të vazhdueshëm dhe të përhapur ndaj një grupi të caktuar civilësh.

3. Krime lufte
Si krime lufte, në kontekst të Statutit të Gjykatës, konsiderohet një numër i madh i krimeve, që përfshin vrasjen e qëllimshme, pengmarrjen, torturën dhe trajtimin çnjerëzor e denigrues, deportimin e dhunshëm, sulmin ndaj objekteve civile, shkatërrimin e pronës, keqpërdorimi i flamujve dhe emblemave ushtarake etj.
4. Krimi i agresionit,
Nënkupton planifikimin, përgatitjen, fillimin ose ekzekutimin, nga një person në pozitë për të ushtruar kontroll ose për të drejtuar aktet ushtarake dhe politike të një shteti, të një akti të agresioni në kundërshtim me Kartën e OKB-së.
Ky krim përfshin përdorimin e forcës ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së shtetit, në çfarëdo mënyre në kundërshtim me Kartën e OKB-së. Kjo forcë mund të shprehet në formë të pushtimit apo sulmit nga forcat e armatosura të një shteti në territorin e shtetit tjetër, pushtimit ushtarak, aneksimit me forcë i territorit apo pjesëve të territorit të shtetit tjetër; bombardimit apo thjesht përdorimit të armëve ndaj shtetit tjetër; sulmit të armatosur ndaj forcave tokësore, detare dhe ajrore; bllokimin e porteve etj..
Mbështetur në të dhënat që janë publikuar deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm që Putini të akuzohet për krime lufte. Në anën tjetër, është shumë vështirë të pretendohet se është kryer krimi i gjenocidit.
Vështirësia e gjykimit të Putinit
E vetmja gjykatë e përhershme ndërkombëtare që ka kompetencë gjykimin e individëve, është Gjykata Ndërkombëtare Penale, me seli në Hagë. Edhe pse Rusia është tërhequr nga Gjykata në 2016-ën dhe më nuk e njeh juridiksionin e saj, Gjykata akoma ka të drejtë ta gjykojë presidentin rus. Por, problemi qëndron në faktin se Putini duhet të arrestohet dhe të sillet para saj. Ai duhet të arrestohet në territorin e një shteti që e njeh juridiksionin e Gjykatës – gjë që nuk ekziston me Rusinë, e cila s’e njeh.

Megjithatë, gjykatat vendore e kanë juridiksionin e ashtuquajtur universal, në bazë të së cilës secila gjykatë në botë, mund ta gjykojë secilin individ, të cilësdo kombësi, për krimet e përfshira më lart. Për shembull, në vitin 2015, dy individë nga Ruanda janë gjykuar dhe burgosur në Gjermani për krime të kryera në Republikën Demokratike të Kongos. Por, në rastin e Putinit, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme.
Alternativa e mundshme
Një tjetër alternativë e mundshme mund të jetë dhe krijimi i një tribunali specifik për krimet e kryera në Ukrainë, që mund të themelohet në të ardhmen. Historia njeh disa tribunale ‘ad-hoc’, të cilat janë krijuar pas përfundimit të konflikteve në shtete të ndryshme. I tillë ka qenë dhe Tribunali i Hagës, që ka gjykuar individët e dyshuar për krime të kryera në territorin e Ish-Jugosllavisë. Pra, si opsion, ekziston që të përdoret në rastin e konfliktit Rusi-Ukrainë.