Bideni thotë se rreziku bërthamor tani është më i larti që nga kriza e vitit 1962 - NACIONALE

Bideni thotë se rreziku bërthamor tani është më i larti që nga kriza e vitit 1962

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Rreziku për një “Armagedon” bërthamor është në nivelin e tij më të lartë që nga kriza kubane e raketave më 1962, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se homologu i tij rus, Vladimir Putin, nuk u tall, kur foli për përdorimin e armëve taktike bërthamore pas pësimit të humbjeve në Ukrainë, raporton televizioni BBC.

Shtetet e Bashkuara po mundohen që ta zbulojnë rrugën e Putinit për të dalë nga lufta, shtoi presidenti amerikan.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë më parë se kërcënimet e Putinit për luftë bërthamore duhet të merren seriozisht.

“Për herë të parë që nga kriza kubane e raketave, kemi një kërcënim të drejtpërdrejtë për përdorimin e armëve bërthamore, nëse në të vërtetë gjërat vazhdojnë të ecin rrugës siç kanë qenë duke ecur”, tha presidenti amerikan.

Në vitin 1962, Shtetet e Bashkuara dhe atëherë Bashkimi Sovjetik – të drejtuar nga John Kennedy e Nikita Khrushchev – i ishin afruar luftës bërthamore për shkak të dërgimit të armëve bërthamore ruse në Kubë.

Shumë ekspertë e konsiderojnë këtë krizë si momentin më të afërt të botës ndaj një lufte të plotë bërthamore.

Bideni tha para anëtarëve të partisë së tij se përdorimi i armëve taktike bërthamore, biologjike ose kimike do të mund të dilte shpejt nga kontrolli.

Sidoqoftë, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, tha javën e kaluar se pavarësisht përmendjes së armëve bërthamore nga Moska, ShBA-ja nuk ka parë shenja se Rusia është duke u përgatitur menjëherë për të përdorur një armë të tillë.

Ukraina së fundi ka fituar territore të pushtuara nga Rusia gjatë luftës që nisi më 24 shkurt, përfshirë zona në katër rajonet e aneksuara në mënyrë të paligjshme nga Moska.

Shtetet e Bashkuara disa muaj kanë paralajmëruar se Rusia mund ta zgjedhë përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, nëse pëson humbje në fushëbetejë.

Gjatë një fjalimi të mbajtur të premten e kaluar, presidenti rus tha se Shtetet e Bashkuara kishin krijuar një precedent duke përdorur armë bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ai gjithashtu është zotuar se do të përdorë “çdo mjet në dispozicion” për ta mbrojtur territorin rus.

Qindra mijëra burra rusë kanë ikur nga Rusia për ta shmangur urdhrin e mobilizimit për luftime në Ukrainë. Radhë të gjata të veturave janë parë në kufirin e Rusisë me disa shtete fqinje./Nacionale

Lajme të ngjashme