Anija ruse ua drejton laserët pilotëve britanikë, Healey thotë se "opsionet ushtarake janë gati" - NACIONALE

Anija ruse ua drejton laserët pilotëve britanikë, Healey thotë se "opsionet ushtarake janë gati"

7 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, tha të mërkurën se “opsionet ushtarake” janë të gatshme, nëse anija spiune ruse “Yantar” bëhet kërcënim, pasi ajo ua drejtoi laserët pilotëve britanikë që ishin dërguar për ta vëzhguar.

Marina Mbretërore dhe Forca Ajrore Mbretërore e Britanisë së Madhe në mënyrë rutinore i përcjellin kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë kombëtare dhe misionet e tilla për vëzhgimin e anijeve dhe nëndetëseve ruse janë bërë më të shpeshta që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë më 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Healey tha se drejtimi i laserëve drejt pilotëve të Forcës Ajrore Mbretërore ishte “thellësisht i rrezikshëm” dhe Britania është e vendosur që të reagojë varësisht nga lëvizja e radhës e anijes “Yantar”.

“Ne kemi opsione ushtarake të gatshme, nëse anija “Yantar” e ndryshon drejtimin”, paralajmëroi ministri britanik.

Duke iu kundërpërgjigjur atyre që i quajti “akuza të pafundme”, Ambasada e Rusisë në Londër tha: “Veprimet e vendit tonë nuk i prekin interesat e Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk e kanë për qëllim minimin e sigurisë së saj.”

“Ne nuk jemi të interesuar për komunikimet nënujore britanike” – thuhet më tej në reagim, ku bëhet thirrje që “pala britanike të përmbahet nga hapat destruktivë që i përkeqësojnë fenomenet e krizës në kontinentin evropian”.

Anija “Yantar”, e ndërtuar për grumbullim të të dhënave të inteligjencës dhe për formësimin e hartave të kabllove nënujore, tani për tani ndodhet në skajin e ujërave britanike, në veri të Skocisë, tha ministri Healey, transmeton gazeta "Nacionale".

“Kjo është hera e parë që e kemi pasur këtë veprim nga anija “Yantar” të drejtuar kundër Forcës Ajrore Mbretërore britanike. Ne e marrim tepër seriozisht këtë” – paralajmëroi ai.

“Unë i kam ndryshuar rregullat e përfshirjes të marinës në mënyrë që ne të mund ta ndjekim më për së afërmi, ta vëzhgojmë më për së afërmi anijen “Yantar”, kur ajo është në ujërat tona më të gjera” – shtoi zyrtari i lartë britanik.

Lajme të ngjashme