“Anëtarësimi në NATO e bën Finlandën objektiv për operacionet ruse” - NACIONALE

“Anëtarësimi në NATO e bën Finlandën objektiv për operacionet ruse”

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shërbimi Finlandez i Sigurisë dhe Inteligjencës tha të enjten se, anëtarësimi i Finlandës në NATO, do ta bëjë vendin nordik një objektiv më interesant për inteligjencën ruse dhe operacionet ndikuese.

Shërbimi po ashtu shtoi se Moska mund të kërkojë të marrë informacione të lidhura me NATO-n përmes fqinjit të saj.

Në rishikimin e saj të sigurisë kombëtare, agjencia e njohur me shkurtesën SUPO tha se Rusia i është drejtuar mjedisit kibernetik dhe burimeve të tjera të inteligjencës, përfshirë të huajt që jetojnë në Rusi, pasi po përballet me pengesa me operacionet e saj të inteligjencës njerëzore në Perëndim.

"Qasja kryesore e mbledhjes së inteligjencës e aplikuar tradicionalisht nga shërbimet e inteligjencës ruse është inteligjenca njerëzore nën mbulimin diplomatik," tha SUPO, duke shtuar se, “kjo është bërë shumë më e vështirë që kur Rusia nisi luftën e saj të agresionit në Ukrainë, pasi shumë diplomatë rusë janë dëbuar nga Perëndimi”.

Ndër të tjera, agjencia tha se shërbimet ruse të sigurisë dhe inteligjencës po synojnë gjithnjë e më shumë të huajt që banojnë ose vizitojnë Rusinë. Rusët që punojnë në Perëndim mund të jenë gjithashtu një objektiv i mbledhjes së inteligjencës kur vizitojnë vendin e tyre, u tha nga agjencia.

Më tej SUPO, thotë se kërcënimi i spiunazhit të korporatave nga Rusia po rritet gjithashtu pasi sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë kërkojnë nisjen e prodhimit të teknologjisë së lartë nga Moska për të zëvendësuar importet.

Finlanda, një vend me 5.5 milionë banorë, aplikoi për anëtarësim në NATO së bashku me Suedinë në maj. Ajo ndan një kufi tokësor prej 1,340 kilometrash me Rusinë, më i gjati nga çdo anëtar i Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme