Ambiciet e mëdha u zëvendësohen studentëve të Gazës me kërkimin dëshpërues të ushqimit
Studentja Maha Ali ishte e vendosur që një ditë të bëhej gazetare dhe të raportonte për ngjarjet në Gaza. Tani, ajo dhe studentë të tjerë kanë vetëm një ambicie: të gjejnë ushqim në kohën kur uria e ka kapluar enklavën.
Përderisa lufta vazhdon, studentja po jeton në rrënojat e Universitetit Islam, dikur qendër arsimore me plot gjallëri, e cila, si shumica e të tjerave në Gaza, është shndërruar në strehimore për njerëzit e zhvendosur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kemi qenë duke thënë për një kohë të gjatë se duam të jetojmë, duam të shkollohemi, duam të udhëtojmë. Tani po themi se duam të hamë” – tha studentja 26-vjeçare.
Ajo është pjesë e një gjenerate të banorëve të Gazës – nga shkolla fillore deri në universitet – që thonë se u është rrëmbyer arsimimi nga gati dy vjet sulme ajrore izraelite, nga të cilat janë shkatërruar institucionet e enklavës.
Më shumë se 60 mijë palestinezë janë vrarë gjatë fushatës ushtarake izraelite, e cila është kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Një pjesë e madhe e enklavës, e cila vuante nga varfëria dhe papunësia e lartë edhe para luftës, është shkatërruar.
Ministri palestinez i Arsimit, Amjad Barham, e akuzoi Izraelin për shkatërrim sistematik të shkollave dhe universiteteve, duke thënë se 293 prej 307 shkollave janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht.
“Me këtë, pushtimi [Izraeli] dëshiron që ta vrasë shpresën brenda bijve e bijave tona” – tha ai.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite ose Ministria e Jashtme e këtij shteti.
Izraeli i ka akuzuar Hamasin dhe grupet e tjera militante për rrënjosje të vazhdueshme në zona e struktura civile, përfshirë shkollat, dhe për përdorim të civilëve si mburojë njerëzore.
Hamasi i hedh poshtë këto akuza dhe, bashkë me palestinezët, e akuzon Izraelin se kryen sulme pa bërë dallime.
Zyra për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare e Kombeve të Bashkuara thotë se, sipas vlerësimit të dëmit të mbështetur në pamjet më të reja satelitore në korrik, 97 për qind e objekteve arsimore në Gaza kanë pësuar një nivel të dëmit, ndërsa 91 për qind e tyre kanë nevojë për rehabilitim të konsiderueshëm ose rindërtim të plotë për t’u bërë përsëri funksionale./Nacionale