Ambasadori rus: Avionët amerikanë s’kanë punë afër kufirit me Rusinë - NACIONALE

Ambasadori rus: Avionët amerikanë s’kanë punë afër kufirit me Rusinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas incidentit mes avionëve luftarakë rusë dhe një droni amerikan, ambasadori rus në ShBA i thirrur nga Departamenti i Shtetit, ka thënë fillimisht se “Rusia nuk dëshiron konfrontim me ShBA-në”.

Por sipas CNN, ai më pas është shprehur duke thënë se: "Siç e shohim ne, avionët amerikanë nuk kanë punë të jenë afër kufirit rus."

Raportohet se më pas duke folur për gazetarët, ambasadori Anatolin Antonov, ka pyetur: "A mund ta imagjinoni nëse një dron i tillë rus do të shfaqej papritur afër Nju Jorkut ose San Franciskos? A mund ta imagjinoni reagimin e shtypit amerikan, Pentagonit, ndaj këtij droni? Çfarë lloj droni ishte?

Më tej, Antonov citohet të ketë shtuar se para se të thirret në Departamentin e Shtetit, është dashur të mendohet se çfarë droni ishte.

“Mendoni për këtë përpara se të më thërrisni në Departamentin e Shtetit. Është një dron me shumë qëllime, me aftësi sulmi deri në 1700 kg ngarkesë shpërthyese.Më tregoni se si do të reagonte ndonjë avionë luftarakë i çdo vendi ndaj kërcënimit të një rreziku të tillë që do të shfaqej përgjatë kufijve të tyre?"

Bëhet e ditur se Antonov po ashtu ka thënë se pilotët rusë janë treguar profesionistë, pasi nuk kanë pasur asnjë kontakt me dronin dhe nuk kanë përdorur ndonjë armë.

Më herët Antonov po ashtu ka thënë se ata preferojnë të mos krijojnë situata të përplasjeve apo incidenteve të paqëllimshme mes Rusisë dhe ShBA-së.

“Ne preferojmë të mos krijojmë një situatë ku mund të përballemi me përplasje të paqëllimta ose incidente të paqëllimshme midis Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara,”- është shprehur ai.

Çfarë ndodhi?

Kujtojmë se më herët gjatë ditës u raportua se një avion luftarak rus ka detyruar rrëzimin e një droni të Forcave Ajrore të ShBA-së mbi Detin e Zi, pasi i kishte dëmtuar helikën.

Sipas CNN, droni Reaper dhe dy avionë SU-27 Flanker, ishin duke operuar mbi ujërat ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kur një nga avionët rusë kishte fluturuar qëllimisht përpara dronit pa pilot, duke i hedhur karburant para.

Më pas sipas raportimeve një nga avionët rusë kishte dëmtuar helikën e Reaper, e cila është e montuar në pjesën e pasme të dronit, duke detyruar ShBA-në të rrëzojë dronin e saj në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.

Kujtojmë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tensionet mes ShBA-së dhe Rusisë vetëm se janë rritur me kërcënime e provokime të herëpasherëshme nga të dyja palët, e ndërkohë që avionët rusë dhe amerikanë kanë operuar mbi Detin e Zi gjatë gjithë rrjedhës së luftës, incidenti i fundit më dron është ndërveprimi i parë i njohur që potencialisht mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm mes dy vendeve në një kohë kritike të luftimeve.

Lajme të ngjashme