Ambasadori rus pasi u thirr nga DASh-i: Nuk duam të konfrontohemi me Amerikën - NACIONALE

Ambasadori rus pasi u thirr nga DASh-i: Nuk duam të konfrontohemi me Amerikën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas incidentit mes avionëve luftarakë rusë dhe një droni amerikan, ambasadori rus në ShBA i thirrur nga Departamenti i Shtetit, ka thënë se “Rusia nuk dëshiron konfrontim me ShBA-në”.

Sipas CNN, Antonov ka thënë se ata preferojnë të mos krijojnë situata të përplasjeve apo incidenteve të paqëllimshme mes Rusisë dhe ShBA-së.

“Ne preferojmë të mos krijojmë një situatë ku mund të përballemi me përplasje të paqëllimta ose incidente të paqëllimshme midis Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara,”- citohet të ketë thënë Anatolin Antonov.

Bëhet e ditur se ai ka qëndruar brenda Departamentit të Shtetit për pak më shumë se gjysmë ore, ndërsa pas largimit duke folur për CNN, Antonov ka thënë se Ndihmës Sekretarja Karen Donfried i kishte përcjellur shqetësimet e ShBA-së për incidentin.

“Më duket se ka qenë një bisedë konstruktive për këtë çështje. Unë i kam dëgjuar komentet e saj, shpresoj se ajo e ka kuptuar atë që i kam përmendur,”- ka deklaruar Antonov, duke përsëritur mohimin e Ministrisë së Mbrojtjes se ndonjë avion rus kishte rënë në kontakt me dronin amerikan.

Antonov gjithashtu ka bërë të ditur se Rusia edhe më parë, “kishte informuar për këtë hapësirë që ishte identifikuar si zonë për operacione speciale ushtarake”.

"Ne kemi paralajmëruar të mos hyhet, të mos depërtohet,"- ka thënë ai, ndërsa ka pyetur se çfarë reagimi mund të kishin ShBA-të në një rast të ngjashëm, nëse ndonjë dron rus do t’i afrohej Nju Jorkut apo San Franciskos.

Çfarë ndodhi?

Kujtojmë se më herët gjatë ditës u raportua se një avion luftarak rus ka detyruar rrëzimin e një droni të Forcave Ajrore të ShBA-së mbi Detin e Zi, pasi i kishte dëmtuar helikën.

Sipas CNN, droni Reaper dhe dy avionë SU-27 Flanker, ishin duke operuar mbi ujërat ndërkombëtare mbi Detin e Zi, kur një nga avionët rusë kishte fluturuar qëllimisht përpara dronit pa pilot, duke i hedhur karburant para.

Më pas sipas raportimeve një nga avionët rusë kishte dëmtuar helikën e Reaper, e cila është e montuar në pjesën e pasme të dronit, duke detyruar ShBA-në të rrëzojë dronin e saj në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.

Kujtojmë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, tensionet mes ShBA-së dhe Rusisë vetëm se janë rritur me kërcënime e provokime të herëpasherëshme nga të dyja palët, e ndërkohë që avionët rusë dhe amerikanë kanë operuar mbi Detin e Zi gjatë gjithë rrjedhës së luftës, incidenti i fundit më dron është ndërveprimi i parë i njohur që potencialisht mund të çojë në një përshkallëzim të rrezikshëm mes dy vendeve në një kohë kritike të luftimeve.

Lajme të ngjashme