Ambasadori gjerman paralajmëron plan të Trumpit për ripërcaktim të rendit kushtetues
Ambasadori i Gjermanisë në Uashington, Andreas Michaelis, ka paralajmëruar se administrata në ardhje e presidentit të zgjedhur Donald Trump do t’ua grabitë pavarësinë autoriteteve për sundimin e ligjit dhe mediave amerikane, ndërsa kompanive të mëdha të teknologjisë do t’u japë “pushtet bashkëqeverisës”, sipas një dokumenti konfidencial që është parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dokumenti informues, që e mban datën 14 janar dhe që është nënshkruar nga ambasadori Michaelis, e përshkruan agjendën e Donald Trumpin për mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë si agjendë me “ndryshim maksimal” që do të sjellë “një ripërcaktim të rendit kushtetues – përqendrim maksimal të pushtetit në kurriz të Kongresit dhe të shteteve federale”.
“Parimet, kontrollet dhe baraspeshat themelore demokratike do të minohen në masë të madhe, legjislaturës, sundimit të ligjit dhe mediave do t’u grabitet pavarësia dhe do të keqpërdoren si krah politik, kompanive të mëdha të teknologjisë do t’u jepet pushtet bashkëqeverisës” – thuhet në dokument.
Ekipi transitor i Trumpit nuk pati koment të menjëhershëm për vlerësimin e ambasadorit gjerman, raporton agjencia “Reuters”.
Të dielën, ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se Berlini “do të vazhdojë që të punojë ngushtë së bashku [me ShBA-në], por natyrisht se ne gjithashtu duam që të qëndrojmë për interesat tona”.
Kur iu kërkua që ta shpjegonte qëndrimin e ambasadorit gjerman rreth Trumpit në transmetuesin publik gjerman, ZDF, kryediplomatja Baerbock tha se Michaelis thjesht po e bënte punën e tij dhe se Trumpi haptas ka deklaruar një pjesë të madhe të agjendës së vet.
Qeveria në largim e kancelarit Olaf Scholz kryesisht është përmbajtur nga kritikat e drejtpërdrejta publike ndaj Trumpit që nga fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, por vlerësimi konfidencial i ambasadorit gjerman ofron një pikëpamje të hapur nga një zyrtar i lartë gjerman.
Në dokument përmendet sistemi i drejtësisë, sidomos Gjykata Supreme e ShBA-së, si pjesë qendrore e përpjekjeve të Trumpit për ta çuar përpara agjendën e vet, por aty thuhet se, pavarësisht nga vendimi i kësaj gjykate rishtazi për t’i zgjeruar kompetencat presidenciale, “madje edhe kritikët më të mëdhenj supozojnë se ajo do ta parandalojë [mundësinë] që të ndodhë më e keqja”.
Ambasadori gjerman e sheh kontrollin mbi Departamentin e Drejtësisë dhe mbi FBI-në si kyç që Trumpi t’i arrijë qëllimet e tij politike dhe personale, përfshirë dëbimin masiv të emigrantëve, hakmarrjen kundër armiqve të perceptuar dhe pandëshkueshmërinë ligjore.
Ai thotë se Trumpi ka opsione të gjera ligjore për ta bërë të detyrueshme agjendën e tij ndaj shteteve amerikane, duke thënë se “edhe dislokimi ushtarak brenda vendit për aktivitete politike do të ishte i mundshëm në rast të “kryengritjes” ose “invazionit” të shpallur”.
Akti Posse Comitatus i vitit 1878 ia ndalon ushtrisë federale që të marrë pjesë në zbatimin e ligjeve të brendshme shtetërore, me disa përjashtime, përcjell gazeta "Nacionale".
Michaelis gjithashtu parashikon një “ripërcaktim të Amendamentit të Parë”, duke thënë se Trumpi dhe miliarderi Elon Musk tashmë po ndërmarrin veprime kundër kritikëve dhe kompanive mediale që nuk bashkëpunojnë.
“Njëri [veprim] është përdorimi i padive, kërcënimi me ndjekje penale dhe anulimi i licencave, tjetri është manipulimi i algoritmave dhe bllokimi i llogarive” – thotë ambasadori gjerman në dokument.
Mbështetja e vazhdueshme e Muskut për partinë gjermane të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka shkaktuar zemërim në Berlin, por Qeveria nuk ka vendosur që në mënyrë të njëzëshme të tërhiqet nga platforma e tij, X.
Gjermania ishte ballafaquar me marrëdhënie veçanërisht të vështira me Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së parë të Trumpit, duke u përballur me taksa të kushtueshme dhe kritika për shkak të dështimit për ta arritur cakun e NATO-s për shpenzime në fushën e mbrojtjes./Nacionale