Al-Sharaa i Sirisë përsëri të mërkurën në Moskë, te Putini
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, do të takohet të mërkurën në Moskë me homologun rus, Vladimir Putin, raportoi të hënën televizioni pro-qeveritar sirian, “Syria TV”, transmeton agjencia “Reuters”.
Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit të përkohshëm sirian në Moskë në më pak se katër muaj.
Në mesin e tetorit të vitit të kaluar, ai i shkoi Putinit mysafir në Moskë për herë të parë që nga rrëzimi i ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, i cili ishte aleat i Rusisë, raporton televizioni BBC.
Gjatë asaj vizite, Putini foli për “marrëdhënien e veçantë” mes dy vendeve, sipas transmetuesit britanik.
Në anën tjetër, Al-Sharaa kishte lënë të kuptohej se do të vazhdonte që t’i lejonte Rusisë qasje në bazat e saj ushtarake në Siri.
Presidenti sirian kishte thënë gjatë vizitës në Moskë se Siria dëshiron që t’i rindërtojë marrëdhëniet me të gjitha shtetet, por “kryesisht me Rusinë”.
Ministrat e Putinit thanë se ishin të gatshëm që të dërgonin ndihma ushqimore dhe ilaçe në Siri dhe ta ndihmonin riparimin e infrastrukturës energjetike e transportit.
Rusia i ka dhënë azil ish-presidentit Assad. Në tetor, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kishte thënë se vendi i tij i ka dhënë azil Assadit për shkak se ai dhe familja e tij ishin “ballafaquar me rrezikun e eliminimit fizik”./Nacionale