“Al Jazeera” thotë se dy gazetarë iu vranë nga një sulm në Gaza, e fajëson Izraelin
Dy korrespondentë të televizionit “Al Jazeera” u vranë nga një sulm ajror që raportohet se u krye nga Izraeli në kampin e refugjatëve “Al-Shati” në pjesën veriore të Gazës të mërkurën, sipas këtij televizioni.
Vrasja e tyre nxiti dënime nga grupet për të drejtat e gazetarëve dhe e vuri në pah rrezikun për reporterët lokalë që po e mbulojnë luftën në enklavën palestineze, raporton televizioni CNN.
Ismail Al-Ghoul dhe kameramani i tij, Rami Al-Rifi, që jetonin në enklavën e rrethuar, u vranë nga një sulm ajror ndaj veturës së tyre në kampin e refugjatëve “Al-Shati”, sipas televizionit me bazë në Katar. Gazetarët, të dy 27-vjeçarë, ishin duke raportuar drejtpërdrejt për një pjesë të madhe të ditës nga një vend afër shtëpisë së familjes së shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili u vra të martën në Teheran.
Al-Ghouli kishte të veshur një jelek anti-plumb me mbishkrimin “Shtypi”, kur u vra, sipas kolegut të tij. Ai nuk i kishte parë bashkëshorten dhe vajzën 2-vjeçare, Zeina, që ishin zhvendosur në pjesën qendrore të Gazës, qe dhjetë muaj. “Këto ditë nuk janë si të tjerat. Zeina nisi të vraponte, të fliste, të bënte pyetje... Ajo po rritej pa e parë unë” – kishte shkruar gazetari në rrjetin X në qershor.
Televizioni “Al Jazeera” e dënoi atë që e quajti “vrasje të shënjestruar” të gazetarëve të saj nga forcat izraelite, duke pretenduar se sulmi ishte “pjesë e një fushate sistematike të shënjestrimit kundër gazetarëve të rrjetit [televiziv] dhe familjeve të tyre nga tetori i vitit 2023”.